Sarandë, procedohet administratorja e subjektit për zënie të hapësirave publike
Policia e Sarandës, vijon operacionin e koduar “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të zhvilluara nga subjektet private.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në një stacion plazhi në Sarandë, konstatuan se administratorja e këtij subjekti, shtetasja A. M., 63 vjeçe, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike, në të cilën kishte vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi, pa qenë e pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
Policia njofton se, për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetases A. M., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.
Shërbimet e Policisë bëjnë të ditur se, do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Fraksion.com

