AktualitetPolitikëTë fundit

Ndërtimet në Theth pa leje? Prokuroria i përgjigjet Ramës: Faktet e policisë nuk mjaftonin për ndjekje penale

Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama, i cili në një lidhje live në Facebook lexoi një vendim të prokurores Elsa Gjeli, që sipas tij ishte skandaloz. Rasti bëhej fjalë për mosfillimin e hetimeve ndaj një personi, që sipas kreut të qeverisë ka ndërtuar në mes të Thethit, një fshat turistik pa leje.

Prokuroria e Shkodrës sqaroi opinionin publik duke theksuar se vendimi i prokurores Gjeli është marrë bazuar në Kodin Penal, ku procedimi penal “nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.

“Si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar”, njoftoi prokuroria.

“Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit”, njoftoi Prokuroria e Shkodrës.

Më tej, ajo thekson se vendimet e saj merren mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, jashtë çdo ndikimi politik.

“Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës. Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione”, njoftoi Prokuroria e Shkodrës.

Duke iu referuar faktit që nuk është filluar procedimi penal, prokuroria thekson se nuk është “një akt vullneti personal, por një akt ligjor”.

“Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera”, njoftoi prokuroria.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale ka shpërndarë pamjet nga momenti ku autoritetet e Bashkisë së Shkodrës kanë hequr kabinat në fjalë. Po ashtu, Rama paralajmëron denoncim ndaj prokurores në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, tha Rama.

 

Fraksion.coom

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com