Shefi i Shtabit të Përgjithshëm: Ja si do të mbilizohen rezervistët në ushtrinë shqiptare
Nga Mimoza Golikja
Ushtria shqiptare është rikthyer në qendër të vendjes pas zhvillimeve të reja, ku lufta nuk është më një opsion i largët po po ndodh shumë afër nesh. Prej një viti ka pasur disa zhvillime në fushën e mbrojtjes, ku më të rëndësishme janë rihapja e industrisë së prodhimit të armëve dhe rithirrja e rezervistëve në rast nevoje. Gjeneral Lejtnant Arben Kingji, shefi shtabit të ushtrisë shqiptare tregon për TemA të gjithë zhvillimet e fundit në fushën e mbrojtjes.
Fillimisht, dëshiroj t’ju falënderoj për mundësinë që nëpërmjet Gazetës Tema të informoj publikun mbi arritjet, zhvillimet e fundit në Forcat e Armatosura. Së dyti, ju uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar vitin e Ri 2025!
Promovimi në gradën e Gjenerallejtënant njëkohësisht është edhe një përgjegjësi e madhe dhe motivim për të punuar më shumë për zhvillimin dhe konsolidimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura për përmbushjen e misionit kushtetues, angazhimeve në NATO, BE, OKB si dhe në mbështetje të popullsisë në raste emergjence.
Duke qenë se jemi në përfundim të vitit 2024, a mund të na ofroni një panoramë të zhvillimeve kryesore në FARSH gjatë këtij viti?
Viti 2024 ka qenë një vit mjaft intensiv për Forcat e Armatosura, gjatë së cilit kemi përmbushur me sukses një spektër të gjerë detyrash që përfshijnë nga kontributi për sigurinë brenda dhe jashtë vendit deri tek operacionet në mbështetje të popullsisë në kuadër të emergjencave civile.
Në kuadër të rishikimit të dokumenteve strategjikë, në vijim të miratimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, puna u fokusua në rishikimin e Strategjisë Ushtarake në linjë me Strategjinë Ushtarake të NATO-s dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë. Po ashtu u hartua dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2024-2033. Të dyja këto dokumente,të miratuara tashmë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, do të shërbejnë si bazë për orientimin tonë në motivimin e personelit, rritjen e kapaciteteve ushtarake, si dhe forcimit të mbrojtjes së vendit dhe zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të forcave tona.
Po kështu, janë ndryshuar një sërë ligjesh e vendimesh të Këshillit të Ministrave, të cilat kanë si synim përmirësimin e trajtimit të personelit me pagë, shtesa mbi pagë, përfitimet për strehim dhe ushqim, si dhe ruajtjen e mbajtjen e disa specialiteteve të ngushta për personelin oficer dhe nënoficer; Këto ndryshime ligjore kanë rritur interesin e të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura.
Në lidhje me ndryshimet strukturore, kemi përfunduar tashmë implementimin e strukturës së re, e cila ka si qëllim rritjen e kapaciteteve dhe aftësisë mbrojtëse të vendit tonë, për t’u përballur si duhet me sfidat në rritje të mjedisit të sigurisë.
Në mënyrë të përmbledhur, avantazhet e rishikimit strukturor përfshijnë rritje të kapaciteteve luftarake dhe mbështetëse, mbulim më të mirë të territorit me prezencë ushtarake dhe përmirësim i nivelit të reagimit ndaj emergjencave civile.
Si e vlerësoni angazhimin e FARSH për përballimin e emergjencave civile dhe bashkëpunimin me strukturat e tjera të përfshira në këtë proces?
Vendi ynë është i rrezikuarnga një sërë fatkeqësish natyrore, si tërmetet, përmbytjet, zjarret, dhe rrëshqitjet e tokës, rreziqe të cilat janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dekadës së fundit.
Vetëm gjatë vitit 2024, sipas sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, janë regjistruar me mijëra hektarë pyje dhe kullota të djegura në Shqipëri.
Për menaxhimin e këtyre zjarreve, për periudhën prill – gusht 2024 janë zhvilluar 80 operacione, në të cilat janë angazhuar në mënyrë progresive mbi 6000 forca ushtarake, 562 mjete transporti, mjete speciale sifadroma, helikopterë, ambulanca dhe zjarrfikëse.
Ndonëse në ligjin për Mbrojtjen Civile, Forcat e Armatosura janë forcë reaguese e tretë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut, duke marrë në konsideratë shpejtësinë reaguese dhe efektivitetin, ato janë thirrur dhe kanë vepruar si reagues i parë.
Unë jam krenar dhe mirënjohës për punën që secili prej tyre, burra dhe gra në uniformë, kanë bërë për t’u përballur me këto sfida dhe emergjenca, dhe gjej rastin t’i falënderoj për punën e tyre. Falë heroizmit të këtij personeli dhe bashkëpunimit me strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, është bërë e mundur mbrojtja e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit nga dëmtimi ose rreziku i dëmtimit, prej këtyre fatkeqësive.
Stërvitjet zënë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të Forcave të Armatosura. Cilat janë disa nga stërvitjet kryesore në të cilat jeni angazhuar gjatë këtij viti?
Vëmendje e veçantë gjatë kësaj periudhe i është kushtuar stërvitjeve, qofshin ato kombëtare apo me NATO-n, si mjeti më i mirë për testimin e gatishmërisë, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe testimin e koncepteve të reja. Në aspektin kombëtar, dua të theksoj stërvitjen 3-shkallëshe “Përpjekja e Përbashkët 2024”, ku testuam jo vetëm reagimin e forcave aktive por edhe planet e mbrojtjes kombëtare të harmonizuara me ato rajonale të Aleancës.
Ndër stërvitjet shumëkombëshe apo në kuadër të NATO-s, dëshiroj të theksoj pjesëmarrjen në stërvitjet Breeze 24, BrilliantJump 24, SeaShield 24, AbleStaff, CËIX-24, dhe SteadfastFoxtrot 24. Në muajin shtator, në bashkëpunim me palën britanike zhvilluam stërvitjen “AustereËolf 24”, e cila shërbeu si një mundësi e mirë për të vlerësuar dhe përmirësuar procedurat dhe kapacitetet e vendit pritës të Shqipërisë, për mbështetjen që mund t’u afrojë forcave të Aleancës që mund të veprojnë ose kalojnë nëpër territorin e vendit tonë.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria do të jetë pjesë e stërvitjes më të madhe të drejtuar nga USEUR-AF, “DefenderEurope-25”si një mundësi e shkëlqyer për t’u trajnuar dhe vepruar së bashku me vendet aleate dhe partnere, me qëllim testimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprushmërisë me vendet aleate dhe partnere. Në interes të kësaj stërvitjeje, në muajin korrik të këtij viti Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Komandën e Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën(USEUR-AF) organizuar në vendin tonë Konferencën Kryesore Planëzuese të stërvitjes “DefenderEurope-25”, me pjesëmarrjen e 600 përfaqësuesve nga vendet aleatedhe partnere të NATO-s.
Cili është perceptimi juaj për mjedisin e sigurisë dhe çfarë masash janë marrë nga FARSH në këtë kuadër?
Aktualisht, jemi në një mjedis të përkeqësuar të sigurisë, si rrjedhojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, konflikteve në Lindjen e Mesme, situatave të brishta të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, aktet terroriste dhe sabotazhit në veri të Republikës së Kosovës, të cilat kanë tentuar dhe po tentojnë të cenojnë stabilitetin në rajonin tonë.
Kjo situatë ka nxitur NATO-n të rivlerësojë strategjinë e saj të shkurajimit dhe mbrojtjes, duke u përgatitur për një mbrojtje kolektive nëpërmjet hartimit të planeve rajonale në funksion të planëzimit të kapacitete për realizimin e saj.
Në kuadër të këtyre planeve, Forcat tona të Armatosura përveç kontributit në mbështetjen e planeve rajonale të NATO-s, po vijojnë punën për rishikimin e planeve të mbrojtjes kombëtare.
Këto plane, të harmonizuara me planin rajonal të aleancës për Evropën Jug Lindore do të ndikojnë në forcimin e mbrojtjes kolektive, ulje të kohës së reagimit të Aleancës, ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të identifikuara në konceptin strategjik të NATO-s të vitit 2022.
Rol të qenësishëm në mbështetje të këtyre planeve luan dhe infrastruktura jonë ushtarake.
Baza Ajrore Kuçovë, tashmë operacionale përveçse do të shërbejë si qendër për dislokimin, trajnimin dhe aktivitetet e Forcave tona Ajrore, ka një rëndësi të veçantë edhe si rezultat i të qënurit si bazë ajrore taktike e NATO-s.
Ajo do të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, duke u përdorur si kapacitet që ofrohet nga vendi ynë si vend pritës.
Po kështu, i një rëndësie të veçantë është edhe vendimi për të zhvilluar portin e ri të Porto Romano, i cili së bashku me infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore do të ofrojë një mundësi të mirë për një lidhje të shpejtë ndërmjet detit Adriatik dhe Detit të Zi, duke mbështetur zbatueshmërinë e planeve rajonale të NATO-s.
Këtyre projekteve të rëndësishme, do ju shtohen dhe kapacitetet kombëtare të magazinimit në afërsi të porteve, aeroporteve, dhe korridoreve kombëtare kryesore të lëvizjes, së bashku me zhvillimin e infrastrukturës stërvitore.
Këto janë disa nga masat e marra përveç kontributit tonë në misionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së, i cili është rritur në cilësi, në sasi dhe prezencë në rajone të ndryshme, duke demonstruar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj sigurisë kolektive, për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon dhe botë.
Si e vlerësoni rolin e FARSH në kuadër të bashkëpunimit dhe iniciativave rajonale?
FARSH në vijim të politikës sonë të jashtme kanë qenë një përçuese të rolit që vendi ynë luan si një faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit.
Bashkëpunimi dhe partneriteti ushtarak rajonal përbën një fushë të rëndësishme të politikës së mbrojtjes së Forcave tona të Armatosura. Duke vlerësuar se siguria rajonale është shumë e ndërlidhur me situatën e përgjithshme të mjedisit strategjik të sigurisë, Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin në zonën Euro – Atlantike. Kjo ka bërë që roli i iniciativave rajonale të jetë i domosdoshëm për një mjedis të sigurtë dhe nxitje të bashkëpunimit e proceseve integruese të vendeve aspiruese të rajonit.
Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak, përveç vijimit të bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe NATO-n, këtë vit Shqipëria kryesoi iniciativën rajonale të Shefave të Shtabit të Ballkanit dhe iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut (njohur si A-5), duke i shfrytëzuar ato si një mundësi të mirë për të thelluar partneritetet dhe marrëdhëniet ekzistuese dhe kontribuar në krijimin e kushteve drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për vendet dhe njerëzit tanë.
Ne kemi shfrytëzuar këto forume edhe si një mundësi për të mbështetur Kosovën për t’iu bashkuar iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut, si një vend me orientim të palëkundur drejt integrimit Euro Atlantik, duke theksuar vlerën e shtuar që do të sillte Kosova jo vetëm në këto iniciativa, por dhe në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Sot buxheti i mbrojtjes ka kaluar pragun 2% të PBB, duke përmbushur kështu një nga angazhimet kryesore e Aleancës. Si do të përkthehet ky buxhet në projektet e modernizimit dhe zhvillimin e infrastrukturës ushtarake?
Po, është e vërtetëse vendi ynë arriti kufirin 2% të GDP për shpenzimet e mbrojtjes, objektiv i marrë nga qeveria shqiptare i cili është realizuar tashmë. Kjo rritje e buxhetit të mbrojtjes do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në procesin e modernizimit të FARSH, si një nga përgjegjësitë kryesore të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA për të zhvilluar dhe përmirësuar kapacitetet, për përmbushjen e misionit kushtetues, detyrimeve ligjore dhe atyre në kuadër të NATO-s.
Modernizimi, si një proces i vazhdueshëm për Forcat e Armatosura, ka si fokus investimin në kapacitete që adresojnë sfidat në mjedisin e sigurisë, për plotësimin e nevojave kombëtare me synim garantimin e sovranitetin dhe integritetit të vendit dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj Aleancës.
Investimet në sisteme, pajisje dhe infrastrukturë do të përmirësojnë kapacitetet ekzistuese, krijojnë kapacitete të reja, rrisin aftësitë operacionale dhe do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve për punë, jetesë dhe stërvitje të personelit të FA.
Modernizimi në Forcën Tokësore do të vijojë sigurimin e kapaciteteve për të rritur mbrojtjen dhe lëvizshmërinë e trupave në fushën e luftimit, fuqinë e zjarrit, dhe kapacitetet kundërtanke.
Modernizimi në Forcën Detare do të vijojë me për përmirësimin e kapaciteteve për vëzhgimin e hapësirës detare, të kapaciteteve patrulluese dhe ngritjen e kapaciteteve për luftën me mina detare.
Modernizimi në Forcën Ajrore do të vijojë të rrisë kapacitetet ajrore me helikopterë BlackHaëk, kapacitetet e mbrojtjes kundërajrore me rreze të shkurtër, kapacitet luftarake të pa-pilotuara (UAV/dronë), kapacitete të mbrojtjes kundër droneve (C-UAS) si dhe konsolidimin e sistemit të vëzhgimit, zbulimit dhe monitorimit të hapësirës ajrore.
Në interes të modernizimit, jemi duke investuar në teknologji dhe infrastrukturë të gjeneratave të fundit, me qëllim që të forcojnë më tej sigurinë kombëtare, ndërveprimin me Aleatët dhe reagimin ndaj sfidave të reja të luftës hibride dhe kibernetike.
Pas shumë vitesh, vendi ynë ka vendosur të rijetësojë industrinë e mbrojtjes. Si do të funksionojë kjo industri dhe çfarë do të prodhojë?
Lufta në Ukrainë nxorri në pah nevojën për më shumë armatim dhe municione dhe rritje të kapacitetit industrial të prodhimit të tyre. Në këtë situatë të re gjeopolitike, ishte e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë një industri të prodhimeve ushtarake.
Për këtë, në muajin korrik, u miratua ligji për krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO”, e cila do të realizojë ciklin e plotë për projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe asgjësimin e të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, të municioneve, të teknologjive dhe pajisjeve ushtarake duke plotësuar edhe nevojat e Forcave të Armatosura.
Miratimi i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Forcave Rezerviste në Republikën e Shqipërisë ka ngjallur mjaft interes për publikun. Si do të implementohet dhe si do të funksionojë ky komponent?
Ndryshimi i mjedisit të sigurisë, sfidat dhe rreziqet e reja me të cilat përballet vendi ynë, nevojat operacionale, kërkojnë që Forcat e Armatosura të kenë në dispozicion kapacitetet njerëzore të nevojshme për përballimin e tyre. Kjo solli si domosdoshmëri organizimin dhe zhvillimine një force rezerviste të integruar në forcën aktive.
Në këtë kontekst, Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës rezerviste në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me 19 dhjetor 2024 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, vjen pas një pune profesionale dhe intensive 3 vjeçare nga gjithë strukturat e Forcave të Armatosura.
Shërbimi do të përfshijë një forcë rezerviste rreth 25 % e forcave aktive, ose 2.100 persona, nëse kushtet dhe mjedisi i sigurisë nuk kërkojnë rritjen e tij. Kjo do të sigurojë një kapacitet kombëtar të rëndësishëm në mbështetje të forcave aktive dhe për reagim të shpejtë në raste emergjencash, misione paqeruajtëse në kuadër të angazhimeve rajonale apo në kuadër të NATO dhe Bashkimit Evropian.
Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për karrierën në Forcat e Armatosura, në forcën rezerviste do të përfshihen ish-ushtarakë në rezervë si dhe shtetas shqiptarë të sektorin privat apo shtetëror që vullnetarisht dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre ushtarake.
Kriteret e moshës janë deri në 50 vjeç për ushtarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët, dhe kohëzgjatja e shërbimit do të jetë 14-45 ditë në vit.
Trajtimi i personelit rezervist do të jetë i njëllojtë me trajtimin që u bëhen ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura.
Elementët e parë të komponentit rezervist do tëfillojmë t’i aktivizojmë gjatë vitit 2025 dhe në mënyrë graduale do të vazhdojmë deri në implementimin e plotë të këtij komponenti.
Me miratimin e këtij ligji, krijohen mundësitë që rezervistët të zhvillojnë aftësitë profesionale në Forcat e Armatosura, ekspertët e specialistët e sektorit privat të integrohen në këto struktura duke kontribuar me kapacitetet që ofrojnë në përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe implementimin e teknologjive bashkohorenë Forcat e Armatosura.
Cilat janë disa nga drejtimet kryesore dhe objektivat që keni parashikuar për vitin 2025?
Gjatë vitit 2025, drejtimet kryesore të punës sonë do të jenë vijimi i përkujdesjes ndaj personelit, reformimi i sistemit të arsimimit e stërvitjes së oficerit të trupës, integrimi gradual i elementeve të parë të komponentit rezervistë në forcat aktive, pjesëmarrja në Stërvitjen “DefenderEurope 2025”, vijimi i modernizimit të kapaciteteve për operacione luftarake dhe jo-luftarake, kontributi në misionet e NATO, BE dhe OKB si dhe mbështetja e popullsisë në përballimin dhe lehtësimin e pasojave të emergjencave civile.
Në mënyrë më konkrete, disa nga drejtimet kryesore të punës për vitin 2025, përfshijnë; Rishikimi e Strategjik i Mbrojtjes, Përmirësimi i menaxhimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore, Përmirësimi i sistemit të arsimimit ushtarak, Implementimi komponentit rezervist dhe integrimi i tij në strukturën e forcës aktive, Përmirësimi i infrastrukturës stërvitore, Rritja e fuqisë së zjarrit nëpërmjet futjes së sistemeve të artilerisë, Krijimi i kapaciteteve kundërtanke, Krijimi i kapaciteteve të mbrojtjes kundërajrore me rreze të shkurtër, Krijimi i kapaciteteve të mbrojtjes kundër droneve (C-UAS), Ngritjen e kapaciteteve për luftën me mina detare, Modernizimi i flotës së mjeteve të transportit, Rritja e kontributeve në misionet ndërkombëtare jashtë vendit, Rritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, Zhvillimi i kapaciteteve të mbështetjes së vendit pritës;
Duke përfunduar, ju falënderoj për intervistën Tuaj dhe për pasqyrimin që i bëni FARSH, duke demonstruar devotshmërinë dhe profesionalizmin që tregojnë ata çdo ditë në realizimin e detyrave funksionale.
Shpreh bindjen se të gjithë së bashku, do të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm, me qëllim që t’u përgjigjemi me sukses sfidave të kohës dhe të garantojmë sigurinë, integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e vlerave euro-atlantike që përfaqësojmë.
Edhe njëherë gëzuar dhe urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja!
Profili: Nga komandant i trupave speciale në shefin e shtabit të ushtrisë
Gjenerallejtënant Arben Kingji, është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zyrtari më i lartë ushtarak me një karrierë të spikatur në FA.
Ai ka lindur në Kukës, më 22 dhjetor 1970 dhe pas mbarimit të Akademisë Ushtarake “Skënderbej” dhe titullimit oficer, karrierën ushtarake e nisi si komandant toge në Repartin Ushtarak 9001, për të vazhduar me Kursin Bazë Komando, të cilin e kreu në Turqi në vitin 1993 dhe Kursin Bazë të Forcave Speciale në vitin 1999.
Gjatë karrierës së tij gjenerallejtënant Kingji ka shërbyer në detyra të ndryshme përfshirë komandant toge; instruktor taktik; drejtues i Grupit VII Special në Batalionin Komando; shef i S-3 i Batalionit Forcave Speciale; zëvendëskomandant i Batalionit të Forcave Speciale; oficer shtabi për trajnim dhe vlerësim në Komandën e Bashkuar; komandant i Batalionit III në Forcën Tokësore; komandant i Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm; komandant i Batalionit të Policisë Ushtarake; atashe ushtarak në Rumani.
Z.Kingji në shtator 2020, u promovua me gradën madhore gjeneralbrigade me dekret të presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe në 02 tetor 2020 u emërua komandant i Forcës Tokësore. Në 02 gusht të vitit 2022, gjenerallejtënant Kingji morri detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në 27 nëntor 2024, me dekret të presidentit të RSH u promovua në gradën më të lartë madhore gjenerallejtënant.
Gjenerallejtënant Kingji ka shërbyer në katër misione jashtë vendit: tre në Afganistan (2003; 2009; 2012) dhe një në Irak (2006), si komandant kontingjenti në të gjitha misionet.
Gjenerallejtënant Kingji ka kryer gjithashtu të gjitha kurset institucionale të oficerit të karrierës, si dhe ka kryer një sërë kualifikimesh të tjera si Kursin e Standardeve të NATO-s; Kursin e Trajnimit CIMIC; Kursin e Orientimit për Kontrollin e Armëve; Kursin e Mbrojtjes dhe Sigurisë Personale.
Përgjatë karrierës së tij mbi 39 vjeçare ushtarake gjenerallejtënant Kingji është vlerësuar me medalje të ndryshme si Medalja për Shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes; Medalja e Shërbimit; Medaljen e Shërbimit të Merituar dhënë nga SHBA; Medalja NATO-ISAF; Medalja e Shërbimit Ndërkombëtar dhënë nga Ministria e Mbrojtjes; Medalja e Karrierës; Medalje për Shërbime të Veçanta, si dhe Medalja e Artë e Shqiponjës e dhënë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2003./marrë nga TemA
Fraksion.com

