Opozita sërish në protestë, hedh vezë në drejtim të bashkisë së Tiranës
Opozita ka protesuar sërisht sot para Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Protestuesit kanë hedhur vezë para ambienteve të Bashkisë, ndërsa kanë kërkuar edhe lirimin nga arresti i shtëpisë të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në fjalën e tij në protestë ka theksuar se shqiptarët nuk mund të mashtrohen dhe gënjehen, por ata do të rezistojnë, deri në largimin e Erion Veliajt.
“Nuk do të ketë amnisti politike dhe qytetare për Veliajn dhe ekipin e tij. Ata që kishin vjedhur lekët e shqiptarëve hanin dhe pinin në Austri, ndërkohë që kanë ndarë dhe vazhdojnë të ndajnë milionat e eurove nga taksat e qytetarëve”, tha ai.
“SPAK t’i thërrasë mendjes dhe të hapë sytë, sepse qytetarët e dinë të vërtetën dhe nuk po dërgojnë përpara përgjegjësisë autorët e vërtetë të vjedhjes së shekullit me inceneratorët”, u shpreh Teliti.
Ndërsa Klevis Balliu, sekretar organizativ në PD, në fjalën e tij tha se, “Erion Veliaj duhet të kuptojë që jo ky Duman, por dymijë Dumanë të ketë ai, nuk shpëton dot nga vjedhjet që i ka bërë qytetarëve të Tiranës. Për drejtorët e bashkisë që janë në burg, një pyetje kam për ata: A ju ka thënë Erion Veliaj juve se çfarë ka thënë në SPAK për ju?”.
“A e dini ju pse ju jeni brenda dhe ai që ju ka marrë copën e madhe, është jashtë? Se, në fakt, juve atje nuk ju çon drejtësia, se këtu drejtësi nuk ka, por juve në burg ju ka çuar vetë shefi juaj, Erion Veliaj ju ka çuar atje, sepse Erion Veliaj kërkon të shpëtojë kokën e vet, kërkon të shpëtojë kokën duke arrestuar disa “ushtarë” mediokër”, tha Balliu.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka hedhur gjatë protestës akuza të ashpra ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Është koha e aksionit sepse me të drejtë durimit tonë i ka ardhur fundi, sepse me të drejtë edhe ju jeni lodhur nga fjalimet e gjata. Ai u amnistua nga krimi më i madh që ka bërë në krye të kësaj bashkie që është inceneratori fantazmë i Tiranës që edhe sot po paguhen 80 mijë euro për një shërbim që nuk kryhet”, tha Blushi.
Opozita ka zhvilluar disa protesta para bashkisë për dorëheqjen e Veliajt në lidhje me incineratorin e Tiranës dhe arrestimin e drejtorëve të bashkisë për çështjen “5D”.
Për shkak të zhvillimit të protestës, disa prej segmenteve rrugore të kryeqytetit u bllokuan ditën e sotme. Policia njoftoi qytetarët se sot, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Fraksion.com

