AktualitetBota+Të fundit

Sekretari Blinken mbrin në Kiev ndërsa Ukraina përballet me sfidën ruse në lindje

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai e quajti një “paketë vendimtare” ndihme, gjatë bisedimeve të martën në Kiev me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Sekretari Blinken arriti në Ukrainë në një udhëtim të paparalajmëruar për të transmetuar atë që zyrtarët amerikanë e quajtën një “mesazh të fortë sigurie”, në një kohë kur forcat ukrainase po përballen me sulme të forta nga ushtria ruse në Ukrainën lindore dhe po presin mbërritjen e dërgesave të reja të armëve nga aleatët.

Presidenti Zelensky i tha sekretarit Blinken se vizita e tij po ndodhë në një “periudhë të vështirë në lindje të vendit tonë”.

Gjatë javës së kaluar, Rusia intensifikoi sulmet e saj në rajonin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës.

Presidenti Zelensky tha se do të diskutojë me sekretarin Blinken për arritjen sa më parë të ndihmës së re të SHBA-së për Ukrainën, si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, duke përfshirë shpresën se Ukraina mund të sigurojë sistemet e raketave Patriot, për të ndihmuar në mbrojtjen e Kharkivit.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët e tjerë të Ukrainës, janë të vendosura të sigurohen që Kievi të ketë atë që i nevojitet për të qenë i suksesshëm në luftën kundër agresionit rus.

“Ne e dimë se kjo është një kohë sfiduese, por ne gjithashtu e dimë se në një afat të shkurtër ndihma tani është në rrugë e sipër”, tha sekretari Blinken. “Një pjesë e saj tashmë ka arritur. Me shume do të vijë dhe kjo do të bëjë një ndryshim të vërtetë kundër agresionit të vazhdueshëm rus”.

Vizita e sekretarit Blinken përfshin gjithashtu bisedime me kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba, si dhe një fjalim në Kiev.

Shtetet e Bashkuara të premten njoftuan dërgimin e një pakete armësh dhe pajisjesh prej 400 milionë dollarësh.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se po bën “çdo gjë” që është e mundur të për të përshpejtuar dërgimin e armëve në Ukrainë për të luftuar kundër ofensivës tokësore ruse në rajonin e Kharkivit.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore, si ne, ashtu edhe aleatët tanë”, u tha gazetarëve këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, duke shtuar se një paketë e re armësh do të shpallet “në ditët në vijim”.

Më të pakta në numër dhe më pak të armatosura, forcat ukrainase po presin por ndihmën shumë të nevojshme ushtarake amerikane.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se shkatërroi 25 raketa ukrainase mbi rajonin e Belgorodit, që shtrihet në anën ruse të kufirit nga Kharkivi.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori rajonal i Belgorodit, tha të martën në rrjetin Telegram se një person u plagos dhe më shumë se 20 shtëpi u dëmtuan gjatë sulmit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë të martën se shkatërruan 18 dronë rusë të nisur gjatë natës mbi rajonet ukrainase Cherkasy, Donetsk, Kherson, Khmelnytskyi, Kirovohrad, Kiev dhe Zaporizhzhia.


Fraksion.com