Ardit Gjebrea në finalen e ‘Eurovision 2024’, producent i Gjeorgjisë
Shqipëria nuk arriti të kualifikohet në finalen e “Eurovision 2024”, por një shqiptar e preku atë.
Po flasim për Ardit Gjebrean i cili ishte producent i përfaqësueses së Gjeorgjisë, Nutsa. Në këtë projekt ishte kompozitore një tjetër shqiptare, Ada Satka, e cila jeton në SHBA, dhe kompozitor Darko Dimitrov.
Ata ia dolën që këngën “Firefighter” dhe Gjeorgjinë ta dërgonin në finale pas 7 vitesh. Në një status në Instagram, Arditi shkroi:
“Mbrëmjen që përmes një telefonate, Nutsa më ftoi si producent artistik të projektit Eurovision 2024 për Gjeorgjinë, u entuziazmova, por edhe u mendova gjatë…
Gjeorgjia prej 7 vitesh nuk hynte në finalen e Eurosong dhe për mua ishte sfidë, por siguria ime ishte vetë Nutsa.
Detaje ka plot, madje dhe shumë të bukura, punë pafund, por e rëndësishme ishte që ky të ishte një projekt ndërkombëtar, ku Shqipëria të ishte zemra e Gjeorgjisë. Dhe në fakt, Natia Mshvenieradze – Kryetare e Delegacionit Gjeorgjian kështu më thotë: “Ardit, ti je zemra e skuadrës tonë!”
Në këtë projekt zbulova një kompozitore shqiptare të super talentuar Ada Satka, e cila jeton në USA dhe tashmë edhe në Shqipëri, dhe bashkë me mikun dhe bashkëpunëtorin e shumë artistëve shqiptarë Darko Dimitrov, u krijua kënga “Firefighter”.
Miguel dhe Nick, dy Balerinë që kanë qënë në Kënga Magjike 2019, së bashku me Luigi, Andrea, Dlova dhe Dante, formuan ekipin koreografik me të cilin u punua për çdo detaj. Dhe qershia mbi tortë (meritë e Nutsës) ishte Drejtori Kreativ i skenës, Sagiv Karpel – i American Idol 2023. Dhe ja ku jemi sonte në natën Finale! Ja dolëm te jemi! Bëmë zgjedhjet e duhura, sepse kënga është projekt, i cili kurohet në çdo detaj, pa folur për punën aq profesionale të PR që bën Lasha Kapanadze. Jemi një skuadër me një artiste të jashtëzakonshme! E kush nuk dëshiron të fitojë një Festival?! Por ajo që i thashë Nutsës mbrëmë pas provës së përgjithshme të Finales ishte: “Festivali për ty ka mbaruar, ti je ajo që të gjithë të duan për artisten dhe njeriun që je. Jam i sigurt që do të të ftojnë ngado, sidomos në aktivitetet e mëpasme të Eurosong. Gjurma që po lë, është e jashtëzakonshme dhe nga nesër, fillo të mendosh për gjurmët e reja.
Fraksion.com