AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Parlamenti të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj Rai3! PS: Balta e Tiranës u paketua edhe në italisht

Dokumentari i Rai3 në emisionin Report ka përplasur deputetët e opozitës dhe të mazhorancës në seancën e sotme plenare

Në nisje të fjalës së tij kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi tha se Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit publik italian Rai3.

‘Ju keni grisur rrregulloren e Kuvendit, sa herë që Ramës i duhet të përballet me akuza. Rama fshihet sa herë duhet të përballet me të vërtetën. Kuvendi të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj RAI3. Ish këshilltari i Ramës, ish magjistrati italian Mandoi na pohoi atë që kemi thënë që anëtarët e mafies kanë përfaqësuesit brenda institucioneve shtetërore. E vërteta nuk turpëron Shqipërinë, por Edi Ramën. Ky investigim nuk ka sulmuar Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat e qeverisë së Ramës që ka treguar në këto 11 vjet se e ka fuqizuar krimin e organizuar dhe ka dëmtuar qytetarët e ndershëm.’- tha Bardhi.

Nga ana tjetër ministrja për Parlamentin Elisa Spiropali tha se dokumentari në Rai3 ishte një sulm i turpshëm për Shqipërinë, që ishte i cili e kishte zanafillën e krijimit në vendin tonë.

Në fjalën e saj, Spiropali tha se “balta e Tiranës u paketua edhe në italisht”, ndërsa theksoi se “Shqipërinë po e djegin për hir dhe llogari të pleshtave që hidhen nga paralelja në paralele dhe bërtasin nga penxherja në penxhere”.

‘Hataja ndodhi edhe njëherë. Hodhën një gur në ajër dhe të gjithë o burra të ndjekim gurin. Ky diktatori i Tiranës që ka blerë 9 fitore elektorale dhe që do fitojë edhe tjetrën, mund t’i ketë çuar RAI-t nja 70 mln euro, nga ato që i kanë tepruar pasi bleu Melonin. Me sa dhe si, ky është hesapi i tyre. Përtej tij ka një llogari morale dhe faturë dinjiteti që duhet paguar prej këtyre që nuk i ndahet dora nga guri si shpirti nga vesi. Pasi shpikën, sajuan, prenë dhe qepën, çfarë mendojnë dhe dëgjojnë se shpik makthi i tyre më i madh, dëgjuan në italisht një pjesë të përçarjeve të tyre dhe tani kërkojnë hesap se çfarë kanë thënë në këtë përçartje. Me atë teknologjinë e djegies së Shqipërisë për hir dhe llogari të pleshtave që hidhen nga paralelja në paralele dhe bërtasin nga penxherja në penxhere. Nuk ka rëndësi përbaltja e vendit, por shpresa nga ajo pak baltë e Tiranës të tregtohet nga shejtan budallenjtë e paketuar edhe në italisht. Goxha hesap të dëshpëruarish. Ishte sulm i turpshëm’- tha Spiropali.

Draksion.com