AktualitetTë fundit

Tritol në banesën e gjyqtarit në Shkodër. Dëshmia e tij: Isha në ballkon kur…

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në qytetin e Shkodrës. Lënda plasëse u vendos në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj. Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

“Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton Policia.

Gjatë dëshmisë së tij gjyqtari Sterkaj ka thënë se ka qenë me bashkëshorten në banesë kur ka dëgjuar shpërthimin. Ka dalë në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e tij. Ka qenë komshia që e ka njoftuar dhe më pas ka kuptuar se eksplozivi ishte vendosur në banesën e tij.

“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.

 

Fraksion.com