AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja përsëri i hedh poshtë pretendimet ruse se Ukraina u përfshi në sulmin e Moskës

Shtëpia e Bardhë të enjten i ka hedhur poshtë përsëri pretendimet e Rusisë se Ukraina ishte përfshirë në sulmin vdekjeprurës në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës më 22 mars.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara i dhanë informata të hollësishme shërbimeve ruse të sigurisë për një sulm ekstremist në Moskë para se ai të ndodhte.

Ai i cilësoi akuzat e Rusisë se Ukraina është gjoja e përfshirë si “të pakuptimta dhe propagandë”.

Më herët të enjten, Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka zbuluar prova se katër kryerësit e sulmit të 22 marsit, ku u vranë më shumë se 140 njerëz, kishin lidhje me Ukrainën.

Me gjithë informatat e ofruara nga Shtetet e Bashkuara dhe përgjegjësinë që e mori Shteti Islamik, presidenti rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë ngulur këmbë në përpjekje për ta fajësuar Ukrainën.

“Si pasojë e punës me terroristët e arrestuar, vlerësimit të mjeteve teknike të konfiskuara nga ata dhe analizimit të transaksioneve financiare, është siguruar dëshmi se ata kanë lidhje me nacionalistë ukrainas”, tha Komisioni Hetues i Rusisë më 28 mars./VOA

 

Fraksion.com