“Porosia ime të goditen kokat grupeve”, Balla: Në proces ekstradimi i atyre që kërkoheshin prej 20 vitesh
Policia i ka dhënë një goditje të fortë krimit, përmes dy operacioneve kombëtare “Tempulli” e “Sundimi i Ligjit”, duke vënë në pranga më shumë se 800 persona të implikuar.
Kështu u shpreh sot Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një intervistë televizive, ku tha se lufta kundër shpërndarësve të narkotikëve, po jep rezultate duke rritur sigurinë publike.
“Në këto operacione janë goditur 26 grupe kriminale. Unë nuk di që të ketë ndonjë statut, ku të jetë caktuar kush është udhëheqësi apo bishti. Gjithmonë porosia ime është të goditen kokat e këtyre grupeve kriminale, pa harruar që një pjesë e madhe e atyre që kërkojmë nuk janë në Shqipëri aktualisht. Një pjesë e madhe janë jashtë, ndaj të cilëve kemi filluar një operacion tjetër që nuk është vetëm i yni, por për shkak se kemi hapur një nivel të ri bashkëpunimi me Interpol. Jo pa shkak është zgjedhur që Interpol, Kongresin ta zhvillojë në fillim të qershorit në Tiranë, ku të gjithë drejtuesit e Policive europiane do të mblidhen në Tiranë sepse diskutimi që kam hapur në Lion me drejtuesit e komunikimi pothuaj i përditshëm është të gjejmë dhe identifikojmë ku ndodhen dhe t’i sjellim në Shqipëri të kërkuarit. Gjatë operacioneve me Interpol, janë të ndaluar dhe në proces ekstradimi koka të krimit të organizuar që kërkoheshin prej 20 vitesh”, nënvizoi Balla.
Ministri i Brendshëm bëri një bilanc të 200 ditëve të para në detyrë, ndërsa u shpreh se angazhim i fortë dhe prioritet mbetet rritja e kapaciteteve të Policisë për të zbardhur ngjarjet e vjetra pa autor.
Fraksion.com

