AktualitetBota+Të fundit

Festivali Supernova: Minutë pas minute, si ndodhi masakra sipas videove të verifikuara

Kujdes: Ky artikull përmban  të dhëna që për disa mund të jenë shqetësuese 

Videot e fundit përpara se horrori të niste, tregojnë se bëhej fjalë për një festival si gjithë të tjerët, njerëz të rinj duke kërcyer deri në agim. Sipas disa burimeve, në këtë event merrnin pjesë më shumë se 4 mijë persona. Nga pamjet, ata dukeshin pjesa më e madhe nën moshën 30-vjeçare.

Ishin mbledhur në një zonë të izoluar në jug të Izraelit për festivalin Supernova, një event që u kishte premtuar pjesëmarrësve kërcim, muzikë, art, pije, në një vend sekret.

Atyre që kishin blerë bileta iu tha që të shkonin në një vend në veri të Re’im kibbutz, rreth 6 kilometra në lindje të Gazës. Organizatorët e festës, premtuan një “rrugëtim bashkimi dhe dashurie”.

Dhe në fakt, në videot e postuara rreth orës 07:22 me orën lokale, pjesëmarrësit  shfaqen të qeshur dhe duke kërcyer. Por mbi kokat e tyre, re të vogla me tym të zi sinjalizojnë fillimin e terrorit që po i afrohej.

Ato duket se janë tymi që la pas sistemi mbrojtës raketor i përdorur nga ushtria e Izraelit, për të detektuar raketat e lëshuara nga Gaza.

Në orët që pasuan, Hamas do të lëshonte me mijëra raketa në Izrael.

BBC Verify, ka bërë një përmbledhje kronologjike të asaj çfarë ndodhi në festivalin që mbahej në fundjavë, duke përdorur videot dhe postimet në rrjete sociale, të verifikuara, si dhe duke përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës.

Disa prej pjesëmarrësve në festival mund të dallohen teksa shohin tymin e zi mbi kokat e tyre. Të tjerë nuk venë re gjë dhe vijojnë të kërcejnë.

Në një tjetër video të postuar vetëm pak kohë më pas, muzika ka ndaluar. Njerëzit kishin nisur të evakuoheshin nga vendi ku mbahej festivali. Disa duken në panik, të tjerë përkulen për t’u strehuar, ndërsa disa të tjerë janë nisur nga dalja.

Një udhëtim i shkurtër me makinë nga barriera e Gazës, faza tjetër e sulmit është rrugës.

“Ata ishin kudo”

Është e paqartë sa minuta kanë kaluar nga nisja e raketave dhe ardhja e personave të armatosur, por dëshmitë flasin për një kohë shumë të shkurtër.

“Kishte raketa, më pas nisën të qëllonin. Vinin nga drejtime të ndryshme dhe zhurma bëhej gjithnjë e më e lartë”, rrëfen për BBC Gilad Karplus, një 31-vjeçar i cili ishte pjesë e stafit të festivalit.

Pashë njerëz të qëlloheshin për vdekje. Sapo pamë këtë, hipën në xhip dhe rendëm drejt fushave”.

Një ‘Story’ në Instagram, e postuar nga një vajzë, tregonte momentin kur në ajër fluturonin raketat, ndërsa njerëzit largoheshin nga festivali.

“U nisëm drejt një rruge kryesore, por disa minuta më pas dikush nisi të bërtiste se terroristët po qëllonin”, shkruajti ajo për ndjekësit e saj.

“Por pas 2 minutave, kuptuam se terroristët ishin edhe nga ana tjetër”.

Nuk dihet nëse terroristët kishin dijeni për festivalin që po mbahej në atë vend, por e sigurt është që e kishin dëgjuar muzikën që vinte nga ajo zonë e qetë dhe e izoluar.

E sipas BBC, e gjetën ose jo vendin aksidentalisht, e sigurt është që shkuan të përgatitur për të vrarë.

Gili Yoskovich tha për BBC se militantët ishin kudo dhe me armë automatike, e se kishte dëgjuar që më shumë armë po shpërndaheshin nga një furgon.

Të gjitha të dhënat sugjerojnë se kampi ishte rrethuar dhe të gjitha rrugën hyrëse e dalëse ishin bllokuar.

Pjesëmarrësit e festivalit vraponin në të gjitha drejtimet, por disa ishin të arritshëm nga militantët e armatosur.

Gilad, i cili kishte shërbyer në ushtrinë izraelit tha: “E dinim që do të bllokonin rrugën. Jam i sigurt që shumë njerëz u vranë në ato rrugë. Ne ikëm më makinë në fushë dhe u përpoqëm që të fshiheshim… pak kohë më pas u futëm disi më thellë në fushë dhe ata nisën që të qëllonin me snajper nga vende të ndryshme, si dhe me artileri të rëndë”.

E teksa vijonte rrugën me shpresën se do të gjente strehë, Gilad tha se kishte parë një makinë ushtarake izraelite.

“I dhamë makinës shumë ngadalë dhe kur iu afruam pamë që ishte goditur me raketë antitank, ose diçka të ngjashme”.

Në mjet nuk kishte gjurmë të ushtarëve që mund të kishin qenë brenda tij.

“Masakra e kapur nga kamera”

Teksa disa rendnin drejt fushave dhe shkretëtirës, militantët kishin zbarkuar në vendin ku zhvillohej festivali, duke vrarë në vend kë i dilte para.

Pamjet e kapura nga një kamera në një makinë, në orën 09:23, tregojnë 3 meshkuj që morën pjesë në masakër. Në fillim të videos shihet një trup në dukje i pajetë i shtirë pranë një makine.

Një militant me automatik në dorë shihet teksa urdhëron një person të gjakosur që të shtrihet përtokë, përpara se ta kapë nga bluza nga pas dhe e tërheq tutje. Ai nuk duket më në kamera dhe nuk dihet nëse personi në fjalë mbijetoi.

Më pas, trupi që ndodhej pranë makinës lëviz. Siç duket personi në fjalë po shtirej si i vdekur. Ai ngre kokën për të parë nëse militantët kanë ikur. Gabim fatal. Pak sekonda më pas në kamera shfaqet një tjetër militant dhe e qëllon personin në fjalë me një plumb në kokë dhe largohet.

Nga e njëjta kamera, pak më vonë, shfaqet një grup meshkujsh. Vetëm njëri prej tyre është i armatosur dhe ata duket se po plaçkisin viktimat. Ata shfaqen duke kontrolluar xhepat e një të vrari dhe një valixhe në një makinë të parkuar. Por ata gjejnë më shumë valixhe. Dy persona, një djalë dhe një vajzë që po fshiheshin në një prej makinave zbulohen nga militantët dhe nxirren prej andej.

Vajza rishfaqet 2 minuta më pas. Ajo kërcen në ajër me krahët lart. Me gjasë mendon se po vijnë për ta shpëtuar. Në këtë kohë, forcat izraelite kishin nisur përpjekjet e tyre për t’u ardhur në ndihmë. Por disa sekonda më pas, ajo bie përtokë ndërkohë që plumbat vërshojnë drejt saj. BBC shkruan se nuk dihet nëse ajo arriti të mbijetonte.

Po ashtu, BBC thotë se ka analizuar dhe ka krahasuar imazhet e personave që shfaqen në video nëpërmjet teknologjisë së njohjes së fytyrës. Një prej tyre përputhet me atë të një personi të veshur me uniformë policie, imazh që gjendej në website e bashkisë së Nuseirat të Gazës.

“I krahasuam këto pamje me programin Amazon Rekognition dhe morën një rezultat të ngjashëm mes 94-97 %”, shkruan BBC, ndonëse le të hapur mundësinë që kjo lloj teknologjie mund të mos jetë 100 përqind e saktë.

“Çfarë mbeti më pas”

Nëpër vendin ku zhvillohej festivali, skena të tilla u përsëritën disa herë. Më shumë se 260 trupa raportohet të jenë gjetur në këtë vend, me rrugë të mbushura me makina që nuk ia dolën që t’i mbijetonin plumbave që u vinin me breshëri. Festivali u shndërrua në fushëbetejë dhe për disa makthi vijon.

Hamas deklaroi se ka marrë disa pengje nga ky vend dhe Izraeli thotë se rreth 100 persona nga i gjithë vendi po mbahen brenda Gazës.

Një prej videove më të rënda nga ky festival, është ajo e një vajzë që në mediat sociale mban emrin Noa Argamani. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Hamas, ajo merret me forcë me motor nga militantët, ndërkohë që qan e bërtet në përpjekje për të arritur një djalë që është prangosur dhe shoqërohet nga militantë të tjerë. Ai e sheh vajzën teksa largohet me motor.


Në disa pamje të tjera që qarkullojnë online ajo shfaqet gjallë në Gaza, por mbetet e paqartë nëse janë reale.

Familja e saj dhe familjet e personave të tjerë që u morën peng në festival presin lajme për fatin e njerëzve të tyre të dashur dhe mbetet e paqartë sesi Izraeli synon t’i lirojë ata./BBC, klan.tv

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com