AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Solidarizohem me bojkotin e studentëve të mjekësisë

Kryetari i grupimit të Rithemelimit, Sali Berisha u shpreh sot se, dita e parë e hapjes së dyerve të universiteteve të vendit nuk është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sipas tij, kjo nuk është një ditë e mirë, sepse këtë vit hyjnë në universitetet e vendit 15 përqind më pak studentë se një vit më parë dhe, hyjnë në bankat e vendit, pothuajse gjysma e atyre që hyjë në universitete në vitin 2012-2013.

Pra, theksoi Berisha, “ka një rënie dramatike të numrit të studentëve në një kohë kur Shqipëria ka nevojë jetike për kapërcimin e prapambetjes së tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, për një numër në rritje të qytetarëve të saj të diplomuar në universitete”.

Por, shtoi ai, “nuk është vetëm ulja e numrit të studentëve një problem madhor për vendin dhe arsimin e lartë universitar. Një problem tjetër shumë i madh është situata ekonomike e studentëve në Shqipëri”.

“Studentët në Tiranë, nisin vitin e tyre universitar në qytetin e tretë me qira më të larta në Europë. Më të shtrenjta! Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka parashikuar qoftë dhe një qindarkë kompensimi për rritjen stratosferike të qirave të banimit. Nuk ka parashikuar një qindarkë të vetme kompensim për rritjen stratosferike të ushqimeve dhe shërbimeve në qytetin e Tiranës”, tha Berisha.

“Kështu, studentët përballen këtë vit njësoj si qytetarët me çmime 7-10 përqind më të shtrenjta për ushqimet se në vendet anëtare të BE”, nënvizoi Berisha.

Por, vijoi ai, “absurde dhe ndëshkuese janë për studentët, tarifat që duhet të paguajnë për regjistrimin në universitetet e vendit. Këto tarifa janë disa herë më të larta në proporcion me rrogat se në të gjitha vendet e tjera të Europës. Këto tarifat janë dhe nominalisht disa herë më të larta se në Gjermani, Austri, Francë, Greqi, Slloveni, Itali dhe vende të tjera. Këto tarifa de facto bëjnë të papërballueshëm shkollimin e fëmijës së dytë apo të tretë për më shumë se 60 përqind të familjeve shqiptare. Këto tarifa, së bashku me qiratë e larta dhe çmimet e ushqimeve, shndërrojnë universitetin në një mollë të ndaluar”.

Berisha gjithashtu u solidarizua sot me bojkotin e studentëve të mjekësisë.

“Universitetet e vendit hapen sot në kushtet kur autonomia e tyre është asgjësuar plotësisht. Kur qeveria ka vendosur kontroll të plotë nëpërmjet bordeve korruptive mbi universitetet dhe autonominë e tyre”, tha ai.

“Një akt tjetër i shëmtuar, totalitar, i pashembullt në Europë, është vendosja e detyrimeve ndaj studentëve të mjekësisë për të firmosur rikthimin e shpenzimeve nëse pas diplomimit, nuk pranojnë të punojnë në vendin e tyre. Ky është akt totalitar, akt i cili nuk ekziston në asnjë vend tjetër.  Ky është akt shkatërrimtar për sistemin e shëndetësisë në Shqipëri. Ky akt ka bërë që qindra e qindra studentë, ekselentë ndër të tjerë, t’u drejtohen universiteteve të Europës, për diplomim në fushën e mjekësisë”, tha Berisha.

“Qindra e qindra të tjerë u janë drejtuar universiteteve private. De facto është shkatërrimi i Fakultetit të Mjekësisë dhe sistemit të shëndetësisë në të ardhmen”, theksoi Berisha.

Ai u bëri thirrje mjekëve dhe infermierëve në mbarë vendin të solidarizohen me studentët.

“Të mos harrojnë se sot janë ata, por nesër duhet të zëvendësohen nga ata që po ikin. Nesër pra, spitalet tona do mbeten bosh. Nesër kujdesi shëndetësor do të vuajë shumë më tepër se sot. Se detyrimi i studentëve për të firmosur kontratë është një akt tipik totalitar diktatorial’, nënvizoi Berisha.

Ai u bëri thirrje studentëve të universiteteve të solidarizohen me studentët e mjekësisë, të mos pranojnë këtë vendim absurd që synon të kontrollojë ëndrrën dhe vullnetin e tyre.

Po ashtu, Berisha u shpreh se, degët e mësuesisë po mbyllen, teksa ftoi qytetarët të ngrihen në protesta për të mbrojtur të ardhmen.

“Katastrofë mund të vlerësohet situata për përgatitjen e mësuesve të ardhshme. Dështim total i përpjekjeve të qeverisë nëpërmjet pagesave për angazhimin e të rinjve në degët e mësuesisë. Ishte e pashembullt në historinë e Europës dhe të botës, që të këto degë, në Tiranë, matematikë, fizikë, kimi për mësuesi kanë ngelur me më pak se 10 studentë. De facto janë të mbyllura, në një kohë kur pak vite më parë, ishin nga degët më të preferuara të vendit”, tha ai.

Sipas tij, nuk kishte nevojë për stimuj të tjerë.

“Kishte një stimul: dyfishimi i rrogave të mësuesve. I bëri degët e mësuesisë degë të preferuara. Madje dhe të mbingarkuara. Qëndrimi ndaj mësuesit nga kjo qeveri, i shkretoi ato nga studentët, i falimentoi dhe ato po mbyllen”, shtoi ai më tej.

“Arsimi i lartë, këtë vit është një thirrje ku gjendja në të cilën ai ka rënë, të gjithë këto faktorë që rreshtova më sipër, janë një thirrje e fuqishme në radhë të parë për të rinjtë e universiteteve. Po kaq edhe për gjimnazistët, për familjarët e tyre, të ngrihen fuqishëm në protesta”, tha Berisha.

“Këto që po ndodhin janë shkatërrim masiv i ëndrrave më të bukura të të rinjve shqiptarë, mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja dhe Shqipëria e nesërme. Unë garantoj studentët se PD në programin e saj, do t’u japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha këtyre çështjeve, por i fton ata të marrin në dorë fatin e tyre, të ngrihen me guxim kundër një qeverie që është përçmuese, përbuzëse ndaj tyre dhe të ardhmes së tyre”, përfundoi kryetari i grupimit të Rithemelimit, Sali Berisha./atsh

 

Fraksion.com