“Kanë dalë tani dhe thonë e shtyu Edi Rama”, Kryeministri: Deputetët duan të rrisin rrogat e tyre, por…
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka pasur një ngërç me rritjen e pagave, megjithatë qytetarët do ta marrin vlerën shtesë të të ardhurave që nga prilli ashtu sikurse u ishte premtuar.
Gjatë një takimi elektoral në Kukës, Rama sqaron se pavarësisht se ligji ndodhet tashmë në parlament, deputetët kanë bllokuar për disa javë procesin me qëllim që ta bindnin atë, që të rriste pagat edhe për ata dhe qeverinë. Mirëpo, kjo – sipas Ramës – nuk ka për të ndodhur, dhe se ata do të jenë kategoria e fundit që do të pësojnë rritje.
Kreu i qeverisë theksoi se edhe nëse rritja e pagave ndodh një apo dy muaj me vonesë nga ç’ishte parashikuar, në maji-qershor, ata do të marrin shtesën e pagës që nga prilli.
“Kanë dalë tani dhe thonë e shtyu Edi Rama rritjen e pagave. Nuk kam shtyrë gjë fare. Ne pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe ata i marrin tani të prillit në fillim të majit. E dyta, unë kam pasur debat, se për rritjen e pagave të tjera duhet të bëhet ligji në parlament. Unë kam pasur një debat, ligji është në parlament. Qeverisë dhe deputetëve duhet t’u rriten pagat të fundit fare, domethënë vitin tjetër, kur të mbarojë rritja për të gjithë edhe deputetëve, edhe qeverisë do t’u rriten pagat. Deputetët duan t’i rrisin tani. Është bllokuar për disa javë kjo punë sepse duhet të më bindin mua. Pastaj nuk e di çfarë do ndodhë, por kjo është arsyeja”, tha Rama.
“Ama të gjithë duhet ta dinë se edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjithë pagat do t’i marrin me gjithë prillin dhe me gjithë majin. Këtë po e them këtu, merreni regjistrojeni. Kështu që asnjëri nuk duhet të ketë asnjë shqetësim. Thjesht halli është që deputetët duan të rrisin pagat e veta tani, unë them jo, deputetët dhe qeveria duhet t’i rrisin në fund, vitin tjetër. Ky është i vetmi problem. Po këtë punë e di Pandi që është në krahun e deputetëve. Safeti thotë rritjani, të shohim. Kjo është arsyeja, s’ka asnjë arsye tjetër”, deklaroi ai.
Fraksion.com

