“Hatërmbetja nuk është këshilltar i mirë”, Rama: Gjergji Mërkuri të mbyllë fushatën, drejtimi i vetëm kandidati i PS-së
Kryeministri, njëherësh kreu i PS, Edi Rama nga Saranda i kërkoi sot kandidatit të pavarur Gjergji Mërkuri që të tërhiqet nga gara për kryetar bashkie.
Rama shtoi se kandidimi i Gjergji Mërkurit gëzon vetëm krahun tjetër politik dhe e ftoi që të lërë në mes fushatën dhe pas 14 majit, ai e ftoi të ulet të diskutojmë dhe të rikthehet në Partinë Socialiste.
“Gjergj Mërkuri është një djalë idealist, i ndershëm, i drejtë dhe Gjergj Mërkurit njerëz këtu të PS-së i kanë rënë në qafë. Kjo është e vërteta. I kanë rënë në qafë dhe kanë bërë një gabim shumë të madh, por kjo nuk është arsye për të bërë atë që Stefani nuk e bën kurrë. Kjo nuk është arsye për t’u çuar e për të dalë matanë rrugës dhe për të kërkuar vota të cilat i bëjnë dëm PS-së në këtë betejë. Nuk ka asnjë këtu që është në këtë shesh dhe nuk ka asnjë që nuk është në këtë shesh dhe që nuk e do kthimin prapa, që është dakord me atë që po bën Gjergji aktualisht. Asnjë”, u shpreh Rama.
Kreu i PS, shtoi se “hatërmbetja nuk është këshilltar i mirë dhe aq më pak pastaj, dalja në anën tjetër të rrugës pavarësisht se të kanë rënë në qafë. Gjergjit i kanë rënë në qafë, por tani Gjergji nuk duhet t’i bjerë në qafë të gjithë Partisë Socialiste, të gjithë atyre që janë këtu dhe mbi të gjitha nëse askush këtu nuk gëzohet për atë që bën Gjergji, janë ata të tjerët që gëzohen, kështu që unë Gjergjin do ta ftoja të gjejë arsyen brenda vetes e nëse për një arsye apo një tjetër e ka të pamundur që ta uli pak kokën e piluriotit, të paktën ta mbylli fushatën”.
Rama kërkoi që ai të presë përfundimin e fushatës në 14 maj, të presë fitoren e kamdidatit të Oltit të PS dhe pastaj të kthehet në PS.
“Ata që i kanë rënë në qafë të pranojnë fajin që kanë bërë. Gjergji të pranojë fajin që po bën, të bashkohemi dhe të vazhdojmë përpara.
Ndërkohë të gjithë atyre që i kanë thënë, Gjergji, vazhdo ti përpara se ne do vijmë mbas teje dhe që janë të majtë dhe që janë njerëz që duan Sarandën pa diskutim, u them: ndihmojeni Gjergjin të mbyllë fushatën dhe ka vetëm një drejtim në 14 maj. Drejtimi është tek kandidati ynë dhe tek PS, nuk ka asnjë drejtim tjetër. Çdo gjë tjetër është një gabim i madh, që për një njeri si Gjergji bëhet dhe faj në një moment të caktuar”.
“Unë e kuptoj shumë mirë Gjergjin, i kuptoj shumë mirë dhe ata që kanë arsye për të qenë të hatërmbetur sepse e vërteta është që në zyrat tona të qeverisë qendrore nëpër qytete ne kemi edhe njerëz për të cilët nuk jemi dot krenar, kjo është e vërteta. Dhe ata njerëz, jo vetëm nuk janë të denjë për PS, jo vetëm nuk janë të denjë për qytetarët që e kanë besuar PS, por ata njerëz janë një arsye për t’u skuqur ne gjithë. Ama zgjidhja nuk është ajo që ka gjetur Gjergji bashkë me ata që e mbështesin, zgjidhja është të vazhdojmë të këmbëngulim këtu së bashku dhe t’i përmirësojmë gjërat së bashku sepse edhe një herë po ta kthejmë kokën mbrapa, kur ata që duan të kthehen ishin atje në pushtet në Tiranë dhe ishin në pushtet këtu, ju e dini shumë mirë se ç’ishin zyrat e shtetit këtu”, deklaroi Rama nga Saranda.
Fraksion.com

