AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Asnjë shqiptar që do vendin e vet, nuk mund të votojë kandidatët e “zorrës qorre”

Kryeministri Edi Rama nga Divjaka ku po vijon rrugëtimin e gjelbër drejt 14 majit deklaroi se zgjedhjet e 14 majit janë edhe për dinjitetin kombëtar, ndaj dhe asnjë shqiptar që do vendin e vet, nuk mund të shkojë e të votojë për kandidatët që ka nxjerrë “zorra qorre”.

“Në këto zgjedhje ka një tjetër problem, që është një problem dinjiteti kombëtar, dinjiteti shoqëror, krenarie kombëtare e komunitare. Si mund të pranojë një shqiptar që do vendin e vet, që bota mbarë ta shikojë me respekt, siç po na shikon gjithmonë e më shumë me respekt, të shkojë e të votojë për kandidatët që ka nxjerrë zorra qorre? Si mund të jetë i votueshëm dikush që pranon të jetë kandiat i zorrës qorre? Që në këtë moment them se nuk është në rregull, s’ka kapacitet të gjykojë dhe të vendosë atë që është gjëja e duhur për veten e tij, jo më të vendosë atë që është gjëja e duhur për ju. Një gërdallë nongrata, që i rri Shqipërisë si sorrë mbi kokë dhe që detyron aleatin më të madh të shqiptarëve, SHBA ta damkosin se i padëshirueshëm si mund të jetë i pranueshëm e i dëshirueshëm për ne një sorrë e vulosur si e padëshiruar nongrata për korrupsion dhe minim të demokracisë”, vuri në dukje Rama.

Rama tha se demokratët të cilët që prej ’91 betohen për PD dhe doktorin, nuk do të gjejnë më 14 maj gërdallën, por “like floririn”, që të rruan sa herë i jep një gjë në dorë.

“Këta flamurin amerikan e mbanin kudo, bënin fushatë me të. Unë nuk e kam marrë ndonjë herë të bëj fushatë, nuk e mbaj në zyrë. Por e di shumë mirë, që marrëdhënia jonë me SHBA është e pandashme dhe kur SHBA thonë: se ky nuk është i mirë për ne, ne nuk mund të kemi marrëdhënie me këtë dhe nëse këtij i jepni votën është e drejta juaj, por me ne keni probleme, edhe sikur kali më i bukur i parkut të ishte do t’i zbrisje, jo më një gërdallë. Dhe më e tmerrshmja është për këta të djathtët, që as nuk mund ta diskutojnë këtë punë, nuk e kanë as gërdallën, kanë “like floririn” atje. Si mund të çohen ata që që nga ‘91 betohen për PD e doktorin të shkojnë më 14 maj dhe të votojnë atje berberin, atë që të rruan sa herë i jep një gjë në dorë. Të shkosh në pazar për të marrë kalin më të mirë për karrocën dhe të marrësh qen që të tërheqë karrocën vetëm se qeni i ka veshët blu, kjo është e paimagjinueshme”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com