“A janë pastruar fushat e minuara në Kosovë?”; Çfarë thuhet në Rezolutën 1244, në bazë të së cilës Serbia kërkon dërgimin e trupave në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Po çfarë thuhet në Rezolutën 1244, në bazë të së cilës Serbia paralajmëron kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë:
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Programi i pastrimit të minave në Kosovë
Kujtojmë se Programi i pastrimit të minave në Kosovë merret si ndër programet më të suksesshme në historin e pastrimit të fushave të minave. Plani ka filluar të zbatohet menjëherë pas luftës dhe ka përfunduar me shpalljen e Kosovës si terren i pastër nga minat në dhjetorë të vitit 2001. Për dallim nga hapësirat e minosura në pjesët tjera ku kanë ndodhur konfliktet e armatosura, në Kosovë tereni me mina ka qenë i freskët. Për të arritur deri te ky sukses ka ndihmuar kuptimi i rrjedhës së konfliktit.
Fraksion.com

