AktualitetPolitikëTë fundit

Xhaçka: Shqipëria ka ngritur zërin në mbështetje të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u prit sot në një takim në Prishtinë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka vlerësoi se vizita vjen në 110-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe është një mundësi për të folur për atë çfarë kemi arritur, por edhe për atë që duhet të bëjmë për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë qytetarët e të dy vendeve.

“Ky është një diskutim që ne pa dyshim duhet ta bëjmë së bashku, duke dialoguar e bashkëpunuar ngushtë, si përfaqësues të dy shteteve, por të një kombi, që ndajmë një axhendë të përbashkët interesash kombëtare jetike. 110 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, ne kemi një situatë të transformuar rrënjësisht të shqiptarëve në rajonin tonë. Kemi Shqipërinë e Kosovën, por kemi edhe një progres të jashtëzakonshëm të shqiptarëve kudo në rajon, për sa i përket të drejtave të tyre”, tha ajo.

Ministrja Xhaçka theksoi se shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, garantë të paqes e stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

“Është bërë shumë progres, por ka ende edhe shumë punë për të bërë dhe është kjo arsyeja përse Shqipëria dhe Kosova janë dakordësuar për të punuar së bashku për mbrojtjen dhe afirmimin e interesave kombëtare, ku një vëmendje e veçantë i kushtohet interesave të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës duke vënë theksin në nevojën e mbështetjes më tej të projekteve të përbashkëta”, u shpreh ajo.

Xhaçka theksoi se çështja më e rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja e Dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja eventuale e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit në Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas saj, “arritja e kësaj marrëveshje është padyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin”.

“Unë dua të përgëzoj edhe publikisht Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes para dy ditësh, që jo vetëm ndihmon në uljen e tensioneve, por edhe krijon kushte shumë më të përshtatshme për t’u fokusuar me urgjencë, me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e aleatëve tanë europianë dhe amerikanë, tek arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E padyshim me mbështetjen e pakufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi”, u shpreh Xhaçka.

Ajo theksoi se “Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjithë këtë rrugëtim, sepse për ne ky është një interes kombëtar”.

“Ne mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik, duke qenë proaktivë për forcimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Atlantike, mbështesim të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur. Mirëpresim synimin e Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe duke ofruar për këtë edhe ekspertizën tonë. Ndërkohë që do të vazhdojmë të këmbëngulim për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut (A5). Në bashkëpunim shumë të ngushtë, jemi gjithashtu të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe në kuadër të Këshillit të Evropës, është në të drejtën tonë të kërkojmë që zëri dhe shqetësimi ynë lidhur me akuzat e pretenduara në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 për trafik organesh, të merren në konsideratë seriozisht nga Asambleja Parlamentare dhe është në nderin e Asamblesë Parlamentare që të vërë në vend këtë padrejtësi, pas hetimeve të thelluara ku nuk u provua dhe nuk përmendet në asnjë rresht trafiku i organeve”, shtoi ajo.

Xhaçka tha se “Shqipëria ka ngritur zërin në mbështetje të Kosovës, në çdo forum ndërkombëtar, përfshirë në Këshillin e Sigurimit, ku kemi ngulmuar që Kosova nuk është më një çështje që duhet të përfshihet në punën e Këshillit, që raportimet duhet të reduktohen një herë në vit dhe UNMIK ka humbur rolin që ka pasur dhe mandati dhe aktiviteti i tij duhet të reduktohen”.

Xhaçka tha se “sigurisht që ka çështje për të cilat ndajmë qëndrime të ndryshme dhe kjo është më se normale”.

Por, sipas saj, “në çdo rast, Kosova, mbështetja e saj, interesi i saj, është për ne një prioritet absolut për të cilin punojmë me po atë pasion e përkushtim si edhe për Shqipërinë”.

Ministrja informoi se në takim u shpreh angazhimi për zbatimin e plotë të marrëveshjes midis dy ministrive të Jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjike kombëtarë.

“Kemi dakordësi për shtimin e përfaqësimit të përbashkët në misione apo blerjen e godinave të përbashkëta, ku duhet ndërmarrë dhe hapi i krijimit të një grupi të përbashkët pune për racionalizimin e shpenzimeve dhe burimeve njerëzore por edhe për intensifikimin e bashkëpunimit. Diskutuam për përfundimin e projekteve të përbashkëta për Konsullatat në Strugë dhe Ulqin. Diskutuam për koordinimin në kuadër të diplomacisë ekonomike ku vlerësohen hapat e ndërmarrë në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare. Heqja e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka sjellë një rritje të qarkullimit të mjeteve dhe udhëtarëve. Po ashtu, operimi i zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit, jo vetëm është një risi, por edhe një hap përmbajtësor në integrimin e ekonomive të dy vendeve. Porti i Thatë në Prishtinë dhe ndërlidhja hekurudhore janë projekte madhore që do ndikojnë në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, por edhe në drejtim të integrimit ekonomik rajonal dhe të trevave shqiptare në rajon”, tha ajo.

Sipas ministres, “ruajtja e identitetit kombëtar të diasporës përmes arsimit dhe përdorimit të gjuhës amtare, si dhe ruajtjes e promovimit të vlerave dhe trashëgimisë kombëtare ishte temë e bisedës”.

Duke folur për regjimin e vizave për Kosovën, Xhaçka tha se “izolimi që i është bërë Kosovës duke i mohuar liberalizimin e vizave është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”.

“Nuk ka asnjë justifikim për ta zvarritur më tej këtë çështje dhe për të mbajtur pezull këtë situatë absurde. Shqipëria do të bëjë gjithmonë çdo gjë që ka në dorë për të mbështetur Kosovën. Dhe jam e bindur që duke punuar ngushtë së bashku, ne mund të bëjmë shumë për të çuar përpara amanetin e atyre që 110 vjet më parë luftuan për t’ju dhënë shqiptarëve, kudo në rajon, një të ardhme më të mirë”, tha ajo.

 

Fraksion.com