AktualitetTë fundit

Plagoset me thikë kryebashkiaku i Divjakës dhe shoferi i tij: Policia jep detajet

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi është plagosur me thikë këtë të enjte bashkë me shoferin e tij, pas një konflikti në poliklinikë.

Kokoneshi pas një debati me shtetasin Ergest Xhelili është goditur me thikë nga ky i fundit. Veç kryebashkiakut, i plagosur ka mbetur edhe shoferi i tij, Gazmend Bullari.

Mësohet se Erges Xhelili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës.

Partnerja e Xhelilit aktualisht punon si shefe e infermiereve tek poliklinika e Divjakës, aty ku ka ndodhur edhe ngjarja.

Kryebashkiaku ndodhet në spitalin e Lushnjës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa  do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ende nuk janë bërë të qarta arsyet e konfliktit mes tyre, ndërsa grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Autori është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në spital, ku ndodhen dy të plagosurit.

Policia e Lushnjës ka dhënë detaje rreth plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë.

“Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç.

Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë. Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në

Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes. Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, sipas policisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com