Berisha: Rama s’i shpëton dot përballjes me popullin
Kreu i PD-së Sali Berisha u tregua i rezervuar lidhur me skenarin e protestës së thirrur nga opozita pasditen e së shtunës, por Edi Ramës i tregoi se zemëratën ndaj keqqeverisjes së tij, qytetarët do ta demostrojnë në çdo formë të mosbindjes civile.
“Populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile që ka si synim madhor përmbysjen e këtij regjimi. Ju po e shihni, sirenat e zemërimit dhe urrejtjes ndaj kësaj qeverie, të lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen dhe mashtrimin.”
Policinë e ftoi të mos bëhet mercenare e Kryeminsitrit Rama duke provokuar qytetarët në protestë.
“Të mos bëhet mercenare e Edi Ramës. Mjerë ai që i prek.”
Sikundër në 7 Korrik edhe në protestën e 12 Nëntorit i paftuari i vetëm në shesh është Lulzim Basha.
“Të gjithë mund të vijnë përveç Lulzim Bashës i cili do të sqarojë akuzën e tmershme që ka.”
Kryetari i Partisë Demokratike e akuzoi Kryeministrin Rama se ka interesa personale e familjare në Portin e Durrësit.
“Dubai, parajsa e Edi Ramës, 60 % e të cilës nuk dihet asnjë aksioner. Është “top sekret” sepse të gjitha janë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës. PD ka përgatitur materialin për të krijuar me urgjencë komison hetimor parlamentar.”
Lum akuzash lëshoi edhe ndaj SPAK-ut, të cilin e akuzoi se u vu në shrbim të kryeministrit Rama për përfundimin e hetimeve paraprake për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
“Urdhëroi SKAP-in e partisë të mbyllë hetimet për Elbasanin, një akt i mirëfilltë kriminal. Riarrestimi me negociata i famozit Alqi Bllako, nuk është gjë tjetër vetëm një proces negociatash dhe me ata të tjerët që janë akuzuar që të mos flasin dhe të dalin shumë shpejt nga burgu.”
Berisha komentoi edhe përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të dy deputetëve demokratë Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.
“Është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe opozita do t’i përgjigjet. Ata që mendojnë se mund të na mposhtin me fjalor rrugaçi, gabojnë rëndë.”
Kreu i demokratëve njoftoi se mbrëmjen e së shtunës mbyllet edhe afati për regjistrimin e kandidatëve në primare.
Fraksion.com

