“870 kg kanabis në Berat”, Nallbati: Në brendësi të serave arrestuam 11 shtetas
Policia e Shtetit finalizoi megaoperacionin policor të koduar “Stuhia” ku u sekuestruan 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, 3 armë zjarri dhe sende që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, si dhe u vunë në pranga 11 shtetas.
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati në deklaratë për mediet së bashku me prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, tha se, “si rezultat i punës hetimore rezultoi se në territorin e fshatit Rërëz, në disa sera në pronësi të shtetasit H. D., kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, të kultivuara më parë në këtë zonë”.
“Nga finalizimi i megaoperacionit “Stuhia”, në territorin e fshatit Rërëz, u lokalizuan serat për të cilat Policia e Shtetit dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike”, theksoi Nallbati.
Nallbati u shpreh se “Shërbimet e Policisë kanë kapur në brendësi të serave, dhe kanë arrestuar në flagrancë 11 shtetas të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht: H. D., 36 vjeç (pronari i tokës ku ishin vendosur serat), E. Xh., 30 vjeç, B. Xh., 42 vjeç, S. L., 22 vjeç, J. U., 23 vjeç, M. D., 24 vjeç, S. B., 27 vjeç, B. M., 48 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, D. M., 43 vjeçe dhe I. M., 25 vjeçe”.
“Nga veprimet operacionale të kryera nga shërbimet e Policisë, në kushtet e flagrancës, shërbimet gjetën dhe sekuestuan edhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, të cilat i posedonin shtetasit e arrestuar, B. Xh., H. D. dhe J. U”, tha Nallbati.
“Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis. Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”, shtoi Nallbati.
“Në vijim të këtij megaoperacioni, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të serave dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale, 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike”, u shpreh Nallbati.
Gjithashtu, shtoi Nallbati, “nga kontrolli në brendësi të serave, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, 4 automjete dhe një numër i madh aparatesh celulare të shtetasve të arrestuar, si dhe të shtetaseve të cilat u gjetën në sera, duke përpunuar bimët narkotike”.
Nallbati nënvizoi se, “rezulton se këto sera kanë shërbyer për prodhimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për ambalazhimin e lëndës narkotike, me qëllim trafikimin e saj”.
Për hetimin e plotë të këtij rasti, theksoii aii, “është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i kryesuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, me specialistët e Drejtorisë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.
Fraksion.com

