AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Universitetet private të korrigjojnë mospërputhjen mes pagës së deklaruar e atë të marrë

ryeministri Edi Rama u shpreh sot se, “ne do t’i bëjmë një thirrje paraprakisht universiteteve private, por dhe pedagogëve që në rast se ka mospërputhje midis pagës së deklaruar e pagës së marrë, duhet ta korrigjojnë, sepse procesi do të shkojë në kontrollin e pasurisë, vetvetiu, siç e bën gjithë bota”.

Në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike për të diskutuar mbi procesin e rankimit të institucioneve të arsimit të lartë, Rama foli mbi pagat e pedagogëve.

“Ne jemi të detyruar që paralelisht me rankimin të bëjmë një rivlerësim ligjor të thellë të të gjitha universiteteve. Është bërë një vlerësim i parë ligjor disa vite më parë por nuk është e thënë që dikush që i ka plotësuar të gjitha 7 vjet përpara, t’i ketë prapë të gjitha të plotësuara. Kështu që do të bëjmë një vlerësim të thellë të të gjithë universiteteve, publike e private, paralelisht me këtë procesin e rankimit, për të parë deri në fund konformitetin me ligjin, jo thjesht si një gjë teknike, por si esencë. Në funksion të performancës”, tha Rama.

“Sa kemi ne pedagogë për shembull, e kuptoj shumë mirë që për shkak të një page që është ende jo plotësisht e kënaqshme në universitetin publik, shkojnë në universitete private e aty tjetër deklarohet, tjetër marrin. Është fakt. Nuk po them të gjithë, por është fakt. Nuk mund ta pranojmë ne të kemi pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason. Se nuk e ha njeri, është shumë e rëndë kjo. Dakord, është një periudhë kohore, por edhe në këtë aspekt ne do t’i bëjmë një thirrje paraprakisht universiteteve private, por dhe pedagogëve që në rast se ka mospërputhje midis pagës së deklaruar e pagës së marrë, duhet ta korrigjojnë, sepse procesi do të shkojë në kontrollin e pasurisë, vetvetiu, siç e bën gjithë bota. Nëse më tregon që ke kaq dhe ndërkohë ke 2 vetura, e këtë e atë, atëherë më fal, ku i gjen këto? Natyrisht që nuk i gjen nga aktivitetet kriminale, i gjen nga fshehja e të ardhurave. Realiteti i vërtetë i pagës është ndryshe, që të jemi shumë të qartë”, theksoi Rama.

“Po të shohim gjithë këtë financim të shtuar, flas për Universitetin e Tiranës, më shumë se 400 pedagogë nga afro 800 që ka universiteti që kanë akses në financime të huaja dhe natyrisht të merituara plotësisht dhe i heqim kapelën, e duam që të marrin edhe më shumë, e po të shohim edhe dypunësimin me universitetet private, një pjesë e të cilit është ca në të bardhë, e ca në të zezë, jemi në tjetër realitet e pastaj ai 7% duket shumë, në raport me zjarrfikësit të cilëve paga iu rrit 7% e të cilët meritojnë shumë më tepër, por meritonin që tani të kishin 15%. Pse nuk e morën 15%? Se nuk ishte mundësia tani, në buxhetin e ri të vitit që vjen, zjarrfikësit do kenë një pagë shumë më të lartë, domethënë një rritje shumë më të lartë se 7% për shkak se me zjarret merremi gjithmonë e më shumë ne dhe gjithë bota dhe ata futen në zjarr. Tani më fal, duhet të kemi dhe një sens të realitetit, duhet të lëmë dhe një radhë në nevojtarët e sotëm të këtij vendi mendoj unë”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com