AktualitetPolitikëTë fundit

5 Maji: Meta, Ahmetaj, Nikolla dhe Peleshi homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zhvilluan sot homazhet shtetërore te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 5 Majit. Pjesë në homazhe mori edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm gjatë homazheve të ditës së sotme, pasi ndodhet në Varshavë pasi do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com