AktualitetEkonomiTë fundit

Ibrahimaj: Pagesë mujore gjatë vitit 2022 për punonjësit e Rafinerisë së Ballshit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj informoi se sot në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi që ka të bëjë me mbrojtjen sociale të punonjësve dhe ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh.

Në daljen për mediet pas mbledhjes së Qeverisë, Ibrahimaj theksoi se përgjatë vitit 2022 do të ketë një pagesë të barabartë me pagën minimale, përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e cila do të jepet sipas listës së ish-punonjësve të Rafinerisë Ballsh, e miratuar që në vitin 2020.

“Kjo listë do të rishikohet për të parë punonjësit që janë të punësuar apo të vetëpunësuar apo që kanë dalë në pension pleqërie”, bëri të ditur ministrja.

Ibrahimaj ftoi të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e kësaj rafinerie që t’i drejtohen zyrave të punës, pranë vendbanimit të tyre, me qëllim dorëzimin e dokumentacionit, për të përfituar këtë ndihmë, që do të jepet në bazë mujore përgjatë vitit 2022.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com