Basha: Shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me strukturat e degës 14 të PD-së në Tiranë.
Kreu i PD-së u shpreh se, zgjedhjet e vitit 2019 nuk ishin një proces normal votimi.
“Ju e dini që në 30 qershor 2019 nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që vetë votuan, vetë numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerrë rezultatin, imagjinoni. Dhe prapë iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 marsit”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh se Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar.
“Shikoni si kanë dalë hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta të tre është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të tre”, theksoi Basha.
“Një politikë me fytyrë njerëzore, do të thotë në radhë të parë t’i japim fund politikës si biznes, si mundësi pasurimi përmes korrupsionit. Sepse është korrupsioni armiku i mirëqenies së shqiptarëve”, tha Basha.
Basha theksoi se, sulmi barbar i Berishës kundër demokratëve u bë për t’i dorëzuar partinë Ilir Metës.
“Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vet zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?! Se kështu i bie! Apo jo?!”, tha Basha.
“Të sfiduar kemi qenë dhe jemi, por në ato sfida vetëm sa jemi forcuar e jo dobësuar vendosmërinë tonë, për ti shkuar deri në fund betejës. Po e them në numrin shumës, por kështu ndihem unë. Nuk e di, a e shpreh apo jo dhe mënyrën se si ndiheni dhe ju. Kjo betejë nuk na përkul! Asnjë hap pas nuk hedhim! Nuk mund te themi;” zgjedhim të ardhmen”, e të sprapsemi! Jo! Ditë për ditë nga një hap përpara! Ditë për ditë me më shumë shqiptare e shqiptare ne krahun tonë! Çfarë duan shqiptarët?! Duan ndryshim! Çfarë është ndryshimi?! Nuk është ndryshim karrigesh! Nuk është ndryshim fytyrash! Dua një ndryshim, i cili, njësoj si para 32 vjetësh, është një ndryshim i thellë, jo vetëm politik, por kulturor. Nuk duan më kultin e individit! Zoti na bën të gjithë të barabartë. Të gjithë jemi të barabartë përpara Zotit. Sigurisht na jep mundësi e fakultete të ndryshme, dhe pastaj secili, në jetën tonë, në përgjegjësinë e vet, i zhvillon ato, por duhet të ketë mundësi ti zhvillojë. Nuk ka Zot mes nesh. Askush nuk mund ti vihet tjetrit, dinjitetit të tjetrit. Askush nuk mund të gllabërojë pronën, nderin, mundësinë, dinjitetin. E që të jemi të tillë, duhet në radhë të parë që, ajo, instrumenti i shërbimit ndaj njerëzve në tokë, që është politika, ta ketë këtë fytyrë njerëzore, ta ketë këtë tipar njerëzor, që e ka humbur”, u shpreh Basha.
Basha theksoi se, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, nuk do të përlyhet nga hijet e korrupsionit.
“Kohët janë të errëta, sfidat janë të mëdha, por çfarë është shqiptare do të mbetet shqiptare, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, e nuk do të përlyhet as nga hijet e korrupsionit, as nga mbetjet e të shkuarës, dhe as nuk do të lejojmë të komprometojnë e të mbajnë peng Shqipërinë, e të mbajnë në vend Shqipërinë. Jemi kaq afër arritjes, i një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar. Një Shqipërie të lirive, të lirisë së fjalës, lirisë së pronës, lirisë së besimit në Zot, lirisë së lëvizjes, lirisë së tregut, dhe mishërimit të tyre në kornizën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Po! Kemi shpresuar që do ta arrinim ne! E arritëm një pjesë. Pa diskutim, ato pjesë të mira që kemi arritur, jo vetëm që nuk duhet të ulim kokën, por duhet të ngremë kokën, e t’i themi çdo shqiptari… e keni prej sakrificës së demokratëve! Edhe lëvizjen e lirë, edhe anëtarësimin në NATO! Dhe gjithçka të keqe që keni këto 9 vjet, e që mundohen t’ia faturojnë partisë demokratike, duke shpikur ditë për ditë fabula e gënjeshtra, nuk i kanë prej demokratëve”, tha Basha.
Basha u shpreh se, demokratët janë bashkuar për opozitarizëm pa kompromis kundër Edi Ramës dhe për vlerat euroatlantike, dhe në këtë betejë ka ftesë për gjithë shqiptarët e ndershëm.
“Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike! Rreth këtyre vlerave na janë bashkuar dhe të tjerë, edhe njerëz që jo domosdoshmërisht fillimisht e kanë parë shpresën tek Partia Demokratike. Sot po bashkohen edhe më shumë! Pas vendimeve tona të kuvendit, pas vendimit tonë të kuvendit: “Zgjedhim të ardhmen!”, shumica dërrmuese e shqiptarëve, ka një shpresë, dhe ju siguroj se ajo shpresë nuk janë tre kalorësit e apokalipsit. Nuk janë mbetjet e të shkuarës, nuk janë treshja e tranzicionit, që do ta mbajë Shqipërinë peng, por është partia demokratike. Jemi ne! Jeni ju! Është rinia! Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruar mua dhe jam i sigurt ju kanë shkruaur dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruar publikisht në Facebook, kritikë të rreptë të mi është ta them butë, kritikë të egër, dhe i shkruajnë: ”Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë! Partia Demokratike është e demokratëve! Partia Demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia Demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar”, tha Basha.
Fraksion.com

