AktualitetTë fundit

Çako: Nuk ka përmbytje masive, pritet rënia e nivelit të ujërave në Vjosë

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi sot se pavarësisht prurjeve masive në lumin Vjosa gjatë orëve të fundit, nuk ka përmbytje masive.

Në një prononcim për mediet, Çako tha se “në Ferras janë disa banesa që kanë prezencë uji dhe janë evakuuar 3 familje”.

“Prej disa orëve, gati dy ditësh, kanë vazhduar reshje intensive thuajse në shkallë vendi, që ka sjellë edhe përmbytje dhe mbingarkesën e lumit Vjosa dhe të lumenjve të tjerë. Ajo që është më e rëndësishme është kapja e niveleve maksimale të lumit Vjosa”, tha Çako.

Sipas tij, “strukturat kanë qenë gjatë gjithë natës në qarkun Fier dhe Vlorë dhe kanë marrë masa për të evituar çdo problematikë apo shqetësim të banorëve”.

“Duhet të informojmë publikun se aktualisht ndonëse ujërat kanë kapur nivelin maksimal, nuk kemi përmbytje masive. Në Ferras janë disa banesa që kanë prezencë uji, janë evakuuar 3 familje dhe aktualisht po vazhdon procesi i evakuimit”, tha Çako.

Ai siguroi se “janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e strukturave lokale dhe qendrore”.

“Tashmë mund të themi se nuk kanë rrezik për banorët apo banesat e tyre. Pritet intensitet në rënie në prurjet e Vjosës, ç’ka reflektohet në nivelin që po bie në Memaliaj, ku përqendrohen prurjet e lumenjve Vjosa dhe Drinos. Po ashtu edhe në Vlorë, në krahun e Mifolit, nuk paraqiten probleme. Është punuar gjithë natës dhe është mbyllur një çarje e argjinaturës e cila mund të sillte probleme serioze për gjithë zonën e Novoselës dhe Mifolit”, tha Çako.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com