I dehur, me shpejtësi, me semafor të kuq, me pushkë në makinë; Aksident tragjik te ’21 Dhjetori’ në Tiranë, 2 viktima
2 viktima, është ky bilanci i rëndë i një aksidenti që u shkaktua për shkak të papërgjegjshmërisë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, ku janë përfshirë në një aksident mjeti “Citoren” me drejtues Emirjan Dokon, 30 vjeç dhe mjeti me drejtues Luan Cenollarin.
Si pasojë e përplasjes së fortë kanë ndërruar jetë Cenollari dhe pasagjeri në automjetin e tij, i identifikuar si Ali Bejo 69 vjeç.
Paraprakisht dyshohet se shkaktar i aksidentit ka qenë Emirjan Doko, i cili ka qenë i dehur në timon, ka qarkulluar me shpejtësi si dhe është futur me semafor të kuq. Nga kontrolli i mjetit i është gjetur një armë zjarri e llojit pushkë 20-she.
Nuk dihet nëse arma ishte me leje dhe as përse Doko e mbante atë me vete, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Doko është dërguar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Fraksion.com

