AktualitetPolitikëTë fundit

“Gati për Shqipërinë”; Rama: Ky cikël sesionesh na mundëson njohjen dhe eksplorim të mundësive

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e katërt të bashkëbisedimit me një tjetër grup aplikantësh të nismës “Gati për Shqipërinë”.

“Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën gatipershqiperine@kryeministria.al”.

Rama theksoi se “po vazhdojmë procesin e kontaktimit të të gjithë atyre që janë interesuar për këtë nismë. E vlerësoj shumë interesimin tuaj”.

Alba Likaj tha se “kam studiuar stomatologji dhe si pasojë e rezultateve të shkëlqyera ekselente punova për 3 vite si asistente pedagoge pranë një universiteti në Tiranë. Do të vazhdoj të kontribuoj në vendin tim në fushën e arsimit dhe Shkencave Mjekësore”.

Andi Rabiaj thekson se “kam përfunduar studimet në fushën e shëndetit publik bachelor dhe master. Që në vitin 2014 jam angazhuar në sektorin e shoqërisë civile , kam dhënë një kontribut të vyer sa i përket çështjeve shëndetësore në Shqipëri dhe çështjeve sociale. Aktualisht jam drejtues i një rrjeti organizatash në Shqipëri. Konkretisht dua të angazhohem në këtë nismë madhore kombëtare në zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve në fushën e shëndetësisë”.

Ilerta Bomi u shpreh se “sapo jam diplomuar në fakultetin e mjekësisë veterinare në Univeristetin Bujqësor të Tiranës. Kam dëshirë të jem pjesë e stafit në organet e politikave të sigurisë ushqimore për mbrojtjen e konsumatorit”.

Eris Goce tha se “aktualisht jam drejtor i një kompanie private, e cila vepron në fushën e transportit ndërkombëtar dhe logjistikës. Besoj se mund të sjellë disa ide për sektorin e transportit”.

Xhoel Kushta theksoi se “kam pasur disa eksperienca pune në SHBA, konkretisht në Boston, Çikago dhe Kaliforni. Jam marrë me hoteli-turizëm dhe financë. Mora shkas nga kjo nismë shumë e mirë për të dhënë kontribut në shtetin shqiptar. Kam disa ide të mira dhe shpresoj të bashkëpunojmë së bashku”.

Sandra Xheleshi tha se “kam 18 vite që jetoj në Britaninë e Madhe. Kam mbaruar bachelor në Shkencat Politike dhe master shkencor në sigurinë ndërkombëtare në Londër. Tani po punoj si eksperte këshilluese në ekstremizmin e dhunshëm duke mbështetur zbatimin e një projekti. Gjithmonë kam pasur dëshirë të punoj në Shqipëri, prandaj dhe projektet i kam fokusuar në Ballkan”.

Kryeministri Rama tha se “do të bësh një takim me drejtoren e kabinetit meqënëse je në Tiranë dhe të shohim që ndoshta mos të të lëmë të ikësh”.

Arvin Nikaj u shpreh se “jetoj në Angli, kam përfunduar studimet për drejtësi. Kam dëshirë të merrem më konkretisht me angazhime sa i përket diplomacisë ekonomike, që ka të bëjë me tërheqjen e investitorëve jo vetëm sa i përket njohjes së Shqipërisë, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, politike, por edhe kulturore dhe historike”.

Kryeministri Rama i kërkoi aplikantëve të kenë durim.

“Do t’iu lutesha shumë të bënit durim, pak durim dhe të mos tërhiqeni në rast se ka vonesa. Mund të bëni komunikimin me ministrat, pastaj të keni ndjesinë që u harruat, për këtë arsye do të lutesha të mbani kontakt me Bora Muzhaqin. Bora është në kontakt me mua për këtë program”.

 

Fraksion.com