“I kam premtuar hetim të plotë familjes Rasha”; Lleshaj: Taktikë e ulët, keqpërdorimi dramatik i fëmijëve në protesta
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh se i ka premtuar familjes Rasha, hetim të plotë për ngjarjen e rëndë që i mori jetën djalit të tyre 25-vjeçar, Klodianit.
Lleshaj garantoi se po bëhet hetimi penal më shumë përgjegjësi dhe po bëhet analiza brenda policisë për të parë se çfarë ka ndodhur. “Dinamika e ngjarjes është e zbardhur nga një mori kamerash. Tashmë është e provuar që ngjarje është bërë në tejkalim të mbrojtjes në kushte ligjore të punonjësit të Policisë”,- tha Lleshaj.
“Ne kemi nevojë të analizojmë dhe të përmirësojmë punën e policisë. Por nuk evidentojmë defekte në zinxhirin e komandimit të policisë. Sipas vlerësimit të deritanishëm është e gjitha një dramë e sjelljes së papërshtatshme e një polici të vetëm të policisë. Nuk kemi ende një përse. Vetë punonjësi i policisë nuk e ka thënë ende pse. Motivi dhe detajet e vendimmarrjes së punonjësit të policit në ato çaste mbeten për t’u sqaruar”, tha Lleshaj.
Lleshaj u shpreh se familja Rasha merriton të gjithë respektin e shqiptarëve. “Familja Rasha po demonstron një dinjitet të jashtëzakonshëm, një dinjitet të pritshëm për një familje shqiptare, malësore. Gjej rastin edhe një herë që të shpreh edhe një herë ngushëllimet. Kodi i vdekjes ndër shqiptarët është i shenjtë. Shqiptarët kanë arritur ta ruajnë edhe sot traditën, ndryshe nga çdo pjesë të jetës sonë. Shenjtëria dhe solemniteti i mortit shqiptar nuk është prekur”, u shpreh Lleshaj.
Nga ana tjetër, ai shprehu keqardhjen që u tentua nga segmente të caktuara për të shpërdorur dhe përdhosur një mort për qëllime të caktuara politike. “Edhe këtu dua ta falënderoj familjen Rasha e cila nuk u përdor por qëndroi me dinjitet”, u shpreh Lleshaj.
“Familja Rasha meriton të gjithë simpatinë e shqiptarëve sot. Unë kam qenë në një vizitë por nuk preferoj që këto vizita t’i bëj publike. E kam bërë vizitën pasi dhashë dorëheqjen. Jo se kisha merak. Në veri shkohet në këto raste edhe te hasmi. Doja të shkoja thjesht si Sandër Lleshaj. E kam konstatuar me nder që ata e meritojnë të gjithë respektin e shqiptarëve”,- tha Lleshaj.
Lleshaj akuzoi opozitën se po përdor të miturit në protestë.
“Policia është e vendosur për t’iu përgjigjur akteve të papërgjegjshmërisë politike e cila fshihet pas fëmijëve.Policia e shtetit është plotësisht e pajisur. Mos gaboni duke supozuar që është policia që keni lënë dikur, por një polici e pajisur më së miri dhe e motivuar, e pajisur për t’u përballur nga secila anë që do të vijë. Nuk mund të fshiheni pas alibive politike për të prishur qetësinë e qytetarëve. Po synohet anormaliteti. Po keqpërdoret një aksident tragjik një ngjarje tragjike që po përdoret për ta kthyer në kauzë politike. Taktika që po ndiqet është e ulët dhe më e ulët është keqpërdorimi dramatik i fëmijëve të papërgjegjshëm”, -tha ai.
Ministri Lleshaj shtoi se ka pasur vlerësime pozitive për punën e tij.
“Kam marrë me mijëra reagime më shumë pozitive, më kanë thënë të mos e kisha dhënë dorëheqjen por vlerësojnë aktin. Kam marrë vlerësime edhe nga jashtë vendit. Kjo ka qenë një lëvizje personale. Dua të gjej edhe reflektim. Ne nuk na mban në këmbë vetëm ligji, por morali, vlerat shoqërore, morali. Në respekt të mortit të një familjeje shumë të nderuar kam menduar që të bëj një gjest. Doreheqja ka dhe një simbol politik. U gjeta në mënyrë të pandershme nën zjarrin politik të disa përfaqësuesve politik të cilët drejtuan gishtin drejt meje duke mos pasur marren dhe as turpin për të më quajtur vrasës. Ky ishte një aspekt i papranueshëm. Nuk hezitojnë të drejtojnë gishtin kundrejt meje ndërkohë që s’kanë marrë përgjegjësi për asgjë nga ato që kanë bërë”,- tha Lleshaj.
“E jap dorëheqjen në këto kushte thjesht për pak gjë për të thënë se unë nuk jam si ju. Ne nuk jemi si ju dhe se kemi tjetër sens qytetarie dhe në lidhje me postin. Lidhja ime me karrigen e ministrit është e barabartë me 0 përballë vlerave të mia qytetare. Ky është mesazhi”, u shpreh ish-ministri Lleshaj.
“Nëse i kujtoni protestat e vitit të kaluar me nivelin e dhunës dhe kishte zero viktima. Dhe kjo zero viktima ka qenë dhe mbetet një parim i panegociueshëm për mua. Policia e Shtetit shqiptar nuk prodhon viktima. Në këtë rast jemi në kushtet e një incidenti, por edhe në këto kushte unë mendova se kjo duhet të ishte zgjidhja”, tha Lleshaj.
Fraksion.com

