Ambasadori Soreca: 4 milionë euro për pajisje mjekësore dhe teste të CoVid-19
Bashkimi Europian, Qeveria Shqiptare dhe përfaqësuesi OKB, nënshkruan marrëveshjen prej 4 milion eurosh pjesë e paketës së ndihmës prej 50 milion eurosh dhënë nga BE Shqipërisë për të luftuar CoVid 19. Kreu delegacinit të BE në Tiranë Luigi Soreca në një intervistë për gazetarin e Top Channelit, Muhamed Veliu, shpjegon se çfarë pajisjesh mjekësore do të blihen me këto 4 milion Euro.
Ambasadori Soreca gjithashtu shpjegon se kur do të mbërrijë pjesa tjetër prej 46 milion euro dhe për çfarë do të përdoret.
“Kësti i dytë i mbështetjes, siç ju e thatë saktë, 46 milionë Euro, do të ndihmojë planin ekonomik që po harton Shqipëria për përfshirje sociale dhe rimëkëmbje ekonomike. Çfarë do të thotë kjo? Që ne do të sigurojmë fonde për planin për asistencë në para në veçanti për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, ato që kanë humbur vendin e punës, me qëllim që të dalim nga situata e krizës. Dhe pastaj, një sasi shumë e rëndësishme e kësaj do të shkojë për rimëkëmbjen ekonomike, çka do të thotë ndihmë për bizneset, për sektorin privat që po vuan. Objektivi për të cilin po punojmë pa pushim është që të sigurojmë që këto 46 milionë t’u vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare në muajt e ardhshëm. Është e vështirë të thuhet për momentin, por objektivi është që në 4-6 muajt e ardhshëm këto para të disbursohen për nevojat e shqiptarëve”.
Por përse BE shumën prej 4 milion Euro nuk ia lëvroi direkt qeverisë shqiptarë por misionit të OKB në Tiranë për të blerë materialet mjekësore? Ambasadori Soreca dha këtë përgjigje.
“Ju e dini që tani në treg ka një kërkesë shumë të madhe për pajisje ndihmëse lidhur me reagimin ndaj krizës. Ka trysni mbi furnitorët dhe një sfidë në zinxhirin logjistik. Ja pse ne punojmë me OKB-në jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin, sepse OKB-ja ka qasje në treg në gjithë botën dhe kjo do t’i japë mundësi Shqipërisë t’i marrë pajisjet në kohë dhe me cilësinë e duhur, si dhe me çmim korrekt në një treg shumë të vështirë. Për momentin të gjithë i kërkojnë këto pajisje”.
Fraksion.com

