AktualitetPolitikëTë fundit

“Sfida jonë e përbashkët”; Gjonaj: Integriteti faktor kyç për besimin te reforma në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se në raportin e publikuar një ditë më parë nga Komisioni Europian, i cili rekomandon hapjen e negociata për Shqipërinë nënvizohen qartë ndër të tjera, rezultatet e frytshme që ka dhënë zbatimi i reformës në drejtësi.

Në konferencën mbi “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e reformës në drejtësi”, ministrja Gjonaj theksoi se integrimi europian është aspirate e shqiptarëve, një ëndërr ende e papërmbushur.

“Është sfida jonë e përbashkët për të bashkërenduar veprimet tona, për të siguruar rezultate të prekshme”,- tha ajo.

Ministrja vuri në dukje se institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësi të veçantë në këtë aspekt për të siguruar rezultate të prekshme e të qëndrueshme në luftën kundër kriminalitetit në përgjegjësi e krimit të organizuar në veçanti.

Sipas Gjonaj, ndryshimet që ka sjell zbatimi i reformës në drejtësi i kanë dhënë një rol krejt të ri prokurorisë, duke i garantuar çdo prokurori pavarësi të plotë në ndjekjen penale.

Por, nga ana tjetër ministrja Gjonaj vuri në dukje se transparenca duhet të shoqërohet dhe me konsolidimin e mekanizmave institucional që identifikojnë dhe ndëshkojnë çdo lloj lidhje me krimin, frymën korporatiste e krahinore e veçanërisht ndikimeve politike në ushtrimin e detyrës.

“Vetingu nëpërmjet të cilit po kalojnë prokurorët e gjyqtarët është një proces i vështirë, por jetik për besueshmërinë e qytetarëve të sistemi i drejtësisë”, tha Gjonaj.

Sipas saj, një numër më i lartë prokurorësh se sa gjyqtarë e kanë kaluar këtë test, dhe ky është tregues pozitiv. “Integriteti është faktor kyç për besimin te reforma në drejtësi”, u shpreh ajo.

Ministrja po ashtu siguroi prokurorët për mbështetje nga ana e qeverisë dhe ministrisë në atë që ajo e quajti mision të vështirë por jetik për të ardhmen e vendit.

Ajo vlerësoi rolin e grave në radhët e prokurorisë. “Mbetem avokate e fortë e promovimit të tyre brenda sistemit” u shpreh Gjonaj.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com