Sfida e SPAK, pastrimi i parave, krimi financiar dhe asetet kriminale
“Sfida kryesorë është pastrimi i produkteve të veprës penale, me hetimin e aseteve kriminale dhe krimit financiar në përgjithësi”, tha sot Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, Arben Kraja, i cili mori pjesë në Konferencën “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi” që u zhvillua sot në Tiranë.
Përsa i përket hetimeve pasurore, Kreu i SPAK, Kraja tha se “krimet pasurore duhet të kenë një metodologji, një objektiv të qartë pavarësisht se kush i heton dhe të ketë një synim të qartë evidentimin e pasurisë kriminale, marrjen e saj nga personat që e kanë në zotërim për të mos i lejuar ta shfrytëzojnë atë për të rritur aktivitetin kriminal apo për të korruptuar sistemin e drejtësisë si dhe vendosjen në funksion të shtetit. Në këtë kuptim duhet bashkëpunimi mes palëve si struktura për të përcaktuar objektiva të qarta”.
“SPAK është një strukturë e re nga reforma e drejtësisë e cila nga pikëpamja hartimi të akteve ja vazhduar mbi dy vite për të arritur në një rezultat në krijimin e një strukture e cila akoma nuk është aty ku duhet nga pikëpamja e formimit të saj.Megjithatë themi se fillimi është i mirë. Ka shumë sfida përpara, sfida që kanë të bëjnë me plotësimin e strukturës, ngritjen e strukturës nga pikëpamja administrative, funksionale por kryesore është sfida që ka të bëjë me rritjen e rezultateve konkrete në hetimi”, tha ai.
Kraja vendosi theksi te krijimi i BKH-së, si element të rëndësishëm të strukturës së SPAK.
“Ne jemi në fazën e krijimit të BKH-së, që është elementi me i rëndësishëm i strukturës tonë i cili do të realizojë hetimin e pavarur. Procedura është publike për zgjedhjen e drejtorit të BKH-së dhe ka vazhduar normalisht, shumë transparente nën monitorimin tepër të kujdesshëm të Misionit Ndërkombëtarë të Rishikimit”, tha ai.
Fraksion.com

