AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Shkrirjmë policinë bashkiake”; Lleshaj: Rritje rroge për efektivët e policisë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka paralajmëruar rritje rroge për efektivët e policisë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm ndërsa njoftoi shkrirjen e policisë bashkiake, duke thënë se kjo polici nuk është në lartësinë e duhur dhe shpeshherë ka sfiduar edhe policinë e shtetit.

“Ne po rikonceptojmë rolin e policive bashkiake. Janë struktura rudimentare dhe në disa raste të shkatërruara. I janë kundërvënë edhe fizikisht Policisë së Shtetit. Po merren masa në ligj që të shmangen situatat e pakëndshme që u evidentuan vitin që shkoi”, nënvizoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Këto deklarata ministri i bëri në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku vijojnë diskutimet për Projektbuxhetin e vitit 2020. Duke folur për buxhetin e parashikuar për ministrinë e Brendshme, Lleshaj shprehu pakënaqësi se nuk është parashikuar rritje pagash për policinë, por shprehu bindjen se do të ketë rritje pagash në gjashtë mujorin e dytë të vitit të ardhshëm.

“Pjesën më të madhe të buxhetit të Ministrisë së Brendshme e zë buxheti i Policisë së Shtetit, që shkon gati 80% e vlerës totale, ndërsa programet e tjera buxhetore, zënë diferencën 20%. Me këtë buxhet nuk është parashikuar rritje page për punonjësit e policisë. Sigurisht që duhet rritje dhe do parashikohet në 6 mujorin e dytë”, deklaroi ai. Ndërkohë,  Lleshaj të njëjtën deklaratë bëri edhe tek Komisioni i Sigurisë, kut tha se po parashikohet mundësi që të rriten rrogat e efektivëve të policisë vitin tjetër.

Por përveç rritjes së rrogave të Policisë së Shtetit, për këtë organizatë pritet të ketë edhe shtim të efektivëve vitin tjetër. Ministri tha se sfida më e madhe është shtimi i numrit të punonjësve të Policisë së Shtetit, pasi sot vendi ynë ka policinë më të vogël në rajon. Kjo, sipas tij, po bëhet përmes përgatitjes për t’u përfshirë në strukturat e Policisë së Shtetit të mbi 900 të rinjve e të rejave, numër që do të vijojë të rritet në vitet në vazhdim. “Shqipëria ka numrin më të vogël të punonjësve të Policisë sot në rajon e më gjerë. Na duhet të shkojmë në mbi 20 mijë punonjës. Sot kemi 11058. Ne synojmë të kemi 500 plus vitin e ardhshëm. Do forcojmë strukturat e ndërhyrjes në raste krizash. Në çdo qark duhet të shtojmë disa grupe të gatshme që duhet të ndërhyjnë shpejt, pasi patrullat nuk mund t’i zgjidhin. Sot Akademia e Policisë ka 900 studentë e kursantë, një numër që se ka pasur asnjëherë më parë. Ne arritëm sivjet të hapim një kanal që të tërheqim studentë të ekselencës. Kemi mbyllur kursin e parë, ku arritëm të marrim nga 300 kandidatë 36 ekselentë që përfunduan me sukses edhe kursin e policisë kriminale”, tha ai.

 

Fraksion.com