AktualitetPolitikëTë fundit

Basha, me qira në vilën e ish-drejtoreshës së tij

Lulzim Basha është kthyer në qendër të vemendjes mediatike pas zhvendosjes në kompleksin e vilave “Long Hill” në periferi të Tiranës. Kryetari i PD nuk jeton më në apartamentin e tij në katin e 12-të të kullave afër stadiumit “Arena Kombëtare”, pasi sipas një njoftimi nga selia blu, shtëpia e Bashës është dëmtuar nga tërmeti, gjë që është mohuar nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet shtetërore.

Kompleksi super luksoz, ku po jeton aktulisht Lulzim Basha, është ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, që është akuzuar vazhdimisht nga PD-ja si oligark pranë Ramës.

Basha, me qira në vilën e ish-drejtoreshës së tij

Gazeta SHQIP ka investiguar më tej rreth këtij rasti dhe ka mësuar se vila lukzose ku po jeton Lulzim Basha është në pronësi të Migena Vrapit.

Migena Vrapi ka punuar si drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ishte kryebashkiak Lulzim Basha.

Vilat “Long Hill” janë në një prej zonave më të lakmuara në Tiranë, ku jetojnë diplomatët, të pasurit dhe bankierët. Një shtëpi në këtë zonë kushton të paktën 410 mijë euro, ndërsa qiraja mujore mbi 2 mijë euro. Nuk dime nëse kryedemokrati paguan qira, apo është favorizuar nga ish-drejtoresha e tij, në këto kohë që ka mbetur pa shtëpi.

Bie kauza e luftës ndaj oligarkëve?

Në mënyrë të paprecedentë, Lulzim Basha prej vitesh ka nisur një luftë të ashpër ndaj biznesmenëve, të cilët i quan oligarkë të lidhur me Ramën dhe që i shërbejnë atij. Basha dhe PD kanë denoncuar me emra në Kuvend, disa prej tyre.  Njëri nga biznesmenët e denoncuar është edhe Agron Papuli, ‘oligarku’ që ndërtoi kompleksin ku Lulzim Basha është zhvendosur për të jetuar.  Papuli, u vu në shënjestër të akuzave nga Partia Demokratike dhe është akuzuar direkt nga Flamur Noka se mori 1.6 milionë euro për tënderin e dhënies me qira të makinave për policinë e Shtetit. Sipas PD, në vetëm dy vite Papuli kishte marrë 4.3 milionë euro nga OSHEE.

Por Lulzim Basha, që kërcënonte me burg dhe konfiskim pasurish “oligarkët”, sot fle në banesat e tyre. A është tërhequr kryedemokrati nga kauza kryesore e tij gjithë këto vite? “Ne nuk jemi të varfër, ne vidhemi nga oligarkët”, artikulonte vazhdimisht ai, poshtë zyrës së Ramës, gjatë protestave të verës.

 

Fraksion.com