AktualitetPolitikëTë fundit

“27 eurodeputetë polakë mbështesin hapjen menjëherë të negociatave me Shqipërinë”

Polonia do të kërkojë hapjen menjëherë të negociatave me Shqipërinë.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Sejmit (Parlamentit) të Polonisë, të kryesuar nga Ryszard Terlecki, Zëvendëskryetar i Parlamentit, dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Poloni-Ballkan.

Kryetari Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer politik midis midis të dy vendeve, i konkretizuar në shkëmbime vizitash në nivelet më të larta të Kryeministres Beata Szydlo në Tiranë, në dhjetor 2016 dhe të Kryeministrit Edi Rama në Varshavë në dhjetor 2017.

Ai falenderoi Poloninë për mbështetjen e fuqishme të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe të rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen pa kushte të negociatave, lobimin me Grupin e Vishegradit, mbështetjen për Presidencën shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, kërkoi mbështetje për kandidaturën e vendit tonë për anëtar jo i përhershëm i KS të OKB-së në vitet 2022-2023 si edhe për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare.

Zëvendëskryetari i Sejmit (Parlamentit) të Polonisë, Ryszard Terlecki nënvizoi se delegacioni parlamentar polak ka ardhur në Shqipëri për t’i dhënë një mbështetje të hapur procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe për të nxitur Këshillin Europian të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë. “Sejmi dhe Qeveria e Polonisë kanë mbështetjen e të gjitha grupimeve politike për mbështetjen e politikave të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi i Europës duhet të zhvillohet paralel, madje edhe si prioritet para forcimit të BE-së. 27 eurodeputetët polakë do të kërkojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë që në mbledhjen e parë të Parlamentit Europian”, vuri në dukje Zëvendëskryetari i Parlamentit të Polonisë, Ryszard Terlecki.

Kryetari Ruçi dhe Zëvendëskryetari Terlecki biseduan edhe mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis Sejmit të Polonisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, intensifikimin e shkëmbimeve të përvojave midis komisioneve parlamentare, sidomos atyre të ekonomisë, mbrojtjes e sigurisë, politikës së jashtme si edhe mbi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com