Guardia di Finanza: Në Shqipëri ka rënë kultivimi i marijuanës
Në Shqipëri, kultivimi i marijuanës pësoi një rënie të fortë gjatë vitit 2018, sipas të dhënave monitorimit ajror të kryer nga Guardia di Finanza, të cilat u bënë publike tditën e enjte në Tiranë.
Sipërfaqja e dyshuar si e mbjellë me kanabis sativa rezulton të ketë qenë më pak se 1 hektarë, ose 27 parcela në të cilat më pas janë asgjesuar 675 bimë. Ndërsa në total, numri i bimëve të shkatërruara nga kontrollet në terren të policisë shqiptare është mbi 35 mijë, ose gati 50 përqind më pak se në 2017. Rezultatet e këtij viti janë thuajse të pakrahasueshme me vitin 2016, kur pati një përhapje masive të fenomenit të kultivimit të marijuanës në një sipërfaqe prej 213 hektarësh me mbi 2.6 milion rrënjë të shkatërruara.
Avioni i Guardia di Finanza-s italiane, i pajisur me teknologji të avancuar për të identifikuar nga lartësitë sipërfaqet me kanabis sativa, ka kryer gjatë vitit të kaluar 69 misione fluturimi, ose 187 orë fluturime, duke mbuluar mbi 25 përqind të territorit të vendit, në zonat, në të cilat në të kaluarën, ishin rregjistruar plantacione me marijuanë. Falë dhe një financimi nga Bashkimi europian, monitorimi nisi që më 5 Prill dhe zgjati deri më 31 Tetor të 2018. Edhe sasitë e sekuestruara në Itali, kanë rënë në 6.6 tonë nga 34.6 tonelata në 2017.
Komandanti I Repartit III të operacioneve të Guardia di Finanza-s italiane, gjenerali Giuseppe Arbore theksoi se “me palën shqiptare ekziston një bashkëpunim i frytshëm në luftën kundër prodhimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Të dhënat tregojnë se aktiviteti i fortë kundër këtij fenomeni, ka goditur rëndë organizatat kriminale që drejtojnë prodhimin dhe trafikun e drogës”. Ndërsa për Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të policisë italiane, gjeneralin Giuseppe Spina “bëhet fjalë për të dhëna inkurajuese që dëshmojnë se rezultatet e shkëlqyera të arritura në 2017 nuk erdhën si pasojë e një “pushimi”, duke na nxitur në këtë mënyrë që të vijojmë në këtë drejtim”, u shpreh gjenerali italian, duke njoftuar se “Italia synon që të vazhdojë, në bashkëpunim me palën shqiptare, monitorimin ajror dhe për vitin 2019, si dhe të vijojë punën me skuadrat e përbashkëta hetimore për të shkatërruar organizatat kriminale përgjegjëse për këto trafiqe”.
Sipas ministrit të Rendit Sandër Lleshaj “viti 2017 shënoi një sukses të rëndësishëm, ndërsa 2018 – përbën sipas – tij një kulm historik suksesi. Zhvendosja e objektivit të luftës nga bimët tek kriminelët është thelbi i suksesit”.
Për rezultatet në luftën kundër kultivimit të marijuanës reagoi sot dhe ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, në krye të këtij dikasteri për pjesën më të madhe të 2017 dhe deri në fund të tetorit të 2018, i cili kishte deklaruar si prioritet të punës së tij heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. “Prezantimi sot publikisht (më mirë vonë se kurrë!) i rezultateve antikanabis ’18, konfirmimi më i mirë i realitetit historik: Pas 25 vitesh, s’jemi më vend origjine i prodhimit e trafikimit të kanabisit! Krenar për çfarë bëmë, ndër të tjera, në këto vite!”, shkruan në Twitter zoti Xhafaj, duke vënë në dukje faktin se arritjen janë realizuar pas asnjë mbështetje shtesë. “Me të njëjtët policë, buxhet, mjete e asistencë, në të njëjtin territor ndryshuam një realitet dhe krijuam një model të krahasueshëm me Evropën!”, thekson ish ministri i Brendshëm, i cili pati një mesazh dhe për kundërshtarët e tij: “Turp i madh për ata që për vite të tëra i dhanë vendit një imazh negativ, rinisë modelin e keq e krimit të organizuar pushtet e fuqi financiare”.
Për të Ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses – Ones “fitimi i një beteje nuk nënkupton që kemi fituar luftën. Lufta duhet të vazhdojë. Kultivimi dhe lëvizja e kanabisit janë vetëm një pjesë e problemit. Tani, duhet të vendosen pengesa më të forta për të ndaluar që trafikantët e drogës ta shohin Shqipërinë si një mjedis lejues për aktivitetin e tyre të paligjshëm. Ky është vendi ku ruajtja e vrullit të reformës në drejtësi është jetike”tha ajo, duke shtuar se “trafikantët e drogës duhet të përballen me zinxhirin e plotë të drejtësisë – arrestim, procedim penal i drejtë dhe dënimi i duhur me burgim. Njerëzit që drejtojnë këto rrjete duhet të frikësohen. Kapja e Klement Balilit, Arbër Çekajt dhe Met Kananit duhet të shërbejnë si gurë kilometrazhi në këtë përpjekje afatgjatë. Tani është në dorën e prokurorëve dhe të gjykatave. Dhe, të vullnetit politik”.
Diplomatja amerikane vuri në dukje se “ne nuk mund ta duam këtë më shumë se ju. Shtetet e Bashkuara janë me ju, por ne varemi nga vullneti juaj politik dhe guximi juaj i vazhdueshëm për të vijuar luftën e mirë për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së për të siguruar që politika të mos luajë më një rol në mbështetjen e këtij aktivitetit të paligjshëm dhe as të mos përmbysë peshoren e drejtësisë në interes të kriminelëve”.
Zonja Leyla Moses – Ones theksoi rëndësinë e godtjes së pasurive të grupeve kriminale. “Ne duhet të ndjekim paratë e pista. Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një mjedis që lejon veprimtari të paligjshme kriminale. Ulja e prodhimit dhe bërja e arrestimeve duhet të pasohet nga sekuestrim pasurish dhe dënime të përshtatshme për parandalimin e tyre. Pakësimi i prodhimit të kanabisit është një fillim i shkëlqyer për të trajtuar rolin më të madh të Shqipërisë në trafikimin e narkotikëve, por sulmimi i pastrimit të parave dhe të të ardhurave monetare përftuar nga trafikimi i heroinës dhe i kokainës në Evropën Perëndimore, është hapi tjetër i rëndësishëm”, nënvizoi diplomatja amerikane.
I njëjti mesazh erdhi dhe nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian në Shqipëri Luigi Soreca. “Të ndjekësh paratë është thelbësore për të shkatërruar krimin e organizuar. Sekuestrimet duhet të ndiqen nga vendime përfundimtare për konfiskimin e pasurive kriminale”, u shpreh ai ndërsa premtoi se “BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Shqipërinë për të luftuar trafikimin e drogave dhe për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik në komunitetet e prekura. Një kontribut shumë i rëndësishëm fillon këtë vit, me një total prej gati 20 milionë eurosh. Programi i ri do të përmirësojë kapacitetet e Policisë së Shtetit Shqiptar, Prokurorisë së Përgjithshme dhe agjencive përkatëse. Ne, gjithashtu, do të shënjestrojmë disa nga shkaqet rrënjësore të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit duke u fokusuar tek arsimi, shëndeti dhe mjetet alternative të jetesës”.
Fraksion.com