BE dështon në politikën për Venezuelën
Nga Barbara Wesel
Për pak ministrat e Jashtëm të BE do të kishin arritur të dilnin me një qëndrim të përbashkët për Venezuelën. Këtë shans ata e humbën, por arsyeja e këtij dështimi të zemëron më shumë, mendon Barbara Wesel.
Dobësia e presidencës dhe sistemit
Por kështu iku edhe një shans për të dërguar sinjale pozitive uniteti në politikën e jashtme. Kjo ka të bëjë edhe me aftësinë për të drejtuar bisedimet. Çdo vit e merr presidencën një vend i BE. Kësaj radhe presidencën e ka Rumania, një vend me një qeveri të shkundur nga skandalet dhe një mungesë të theksuar të politikanëve të zotë dhe me përvojë. Për fat të keq në debatin për Venezuelën u tregua qartë e gjithë dobësia e sistemit.
Finlanda kishte ofruar që të merrte presidencën në vend të rumunëve të papërgatitur. Por Bukureshti nuk donte asnjë këmbim. Në një kohë që qeveria e Helsinkit do t’ia kishte dalë me siguri të arrinte në një ujdi për Venezuelën. Këtu u poqën një vend anëtar shumë i dobët e që mban presidencën me një dështim të sistemit. BE mund të luajë rol në Venezuelë, megjithëse ajo historikisht nuk ka qenë e ankoruar ndonjëherë atje. Por në grindjen e dy superfuqive Rusi-SHBA për sferat e influencës do të kishte më shumë hapësirë për Europën për të ndërmjetësuar dhe ndihmuar, sidomos për të ofruar ndihmë për popullsinë që vuan nga mungesa e furnizimeve. Presidenti Maduro nuk e ka lejuar futjen e ndihmave humanitare. Ndërkohë eksodi masiv vazhdon. Maduro e ashpërson gjendjen edhe më shumë me arrestimin e gazetarëve të huaj dhe vështirësimin e punës së tyre. Gjithçka të thotë këto ditë, se lufta mes regjimit dhe opozitës po hyn në një fazë vendimtare.
Humbja e shansit për dërgimin e një mesazhi politik
Në këtë kuadër, për BE nuk do të kishte qenë e vështirë të pozicionohej dhe ta linte pas dyzimin politik. Pavarësisht se si e përcaktojnë Moska dhe Uashingtoni politikën e tyre të interesave në Venezuelë, Europa mund të kishte dërguar një mesazh të qartë duke u pozicionuar në krah të opozitës. Një president, që e shtyp kaq masivisht vendin e tij ka humbur çdo legjitimitet. Tani në mungesë të një deklarate, vendet e BE-së njëri-pas tjetrit do ta japin në javën që vjen mbështetjen e tyre për Guaido. Duke e humbur mesazhin politik dhe shansin për unitet në politikën e jashtme. Dhe duhet kuptuar se veçanërisht në politikën e jashtme Europa është më e fortë kur është e bashkuar. Ishte e mundur të mënjanohej dështimi në Bukuresht, prandaj kjo të zemëron./DW
Fraksion.com

