Rama: 8 pikat e studentëve, pikënisja e një faze të re transformimi përmes Pakti për Universitetin
“8 pikat e studentëve janë vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës universitare, që mund të ndodh vetëm përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke i drejtuar sërish studentëve protestues kërkesën për dialog.
“Të dashur studentë protestues, gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim. 8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë vetëm së bashku, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë”, tha rama.
Adresimi i 8 pikave, sipas Ramës, “duhet të nisë pa humbur kohë”. “Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh gati për dialog, ndërsa theksoi se “nuk ka asnjë kusht”. “Prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 pika”, tha Rama.
Fraksion.com

