AktualitetTë fundit

Durrës, arratiset anija me 500 ton kripë që erdhi nga Egjipti

Një anije e mbërritur nga Egjipti me 500 ton kripë shkarkoi ngarkesën jashtë portit të Durrësit dhe u arratis pa plotësuar dokumentacionin mëngjesin e të shtunës. Incidenti me mjetin lundrues ndodhi pasi kompania pritëse refuzoi të shkarkojë kripën pasi ngarkesa ishte lagur nga shiu dhe ishte përzier me qymyr. Policia kufitare dhe kapiteneria e portit fillojnë hetimet për incidentin.

Kapiteneria e Durresit ka nisur hetimet për një anije tregtare e cila është larguar nga porti pa lejen e autoriteteve shqiptare. Sipas burimeve zyrtare anija tregtare e ngarkuar me 500 ton kripë u largua nga  porti në orët e para të mengjesit të së shtunës pa marrë më parë lejen e nevojshme nga autoritetet portuale. Kapiteneria bën me dije se, anija tregtare nga Egjipti, kishte sjellë tri ditë më parë 500 ton kripë per llogari të një biznesi shqiptar në Durrës.

Por pas mbërritjes së sasisë së kripës, ka pasur mosmarrëveshje midis subjektit pritës dhe transportuesit në lidhje me pretendimet për dëmtimin e mallit. Mësohet se, biznesmeni shqiptar pretendonte se sasia prej 500 ton kripq është dëmtuar gjatë transportit me anije sepse është lagur me ujë si dhe është e përzier me qymyr duke refuzuar të bënte shkarkimin e mallit. Pas konfliktit midis paleve, anija “SEA SCANER” ka dalë nga kalata ku më pas shkarkoi mallin në radën e jashtme të portit dhe u largua pa njoftuar dhe pa plotësuar dokumentacionin. Burime nga kapiteneria e Portit thonë se është Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare që merren me sigurinë e portit, përfshirë edhe lëvizjen e anijeve, përsa kohë që anija gjendej në rade jashtë kalatave portuale. Ndërkohë, kapiteneria ka bërë me dije se po vijon hetimet detare në lidhje me këtë incident.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com