Grabar-Kitaroviç vizitë në Maqedoni, pritet me nderime të larta nga Ivanov
Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Republikën e Maqedonisë, në vilën presidenciale “Villa Vodno” në Shkup është pritur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu i saj maqedonas, Gjorge Ivanov.
Grabar-Kitaroviç dhe Ivanov kanë filluar takimin kokë më kokë, i cili zhvillohet me dyer të mbyllura për media.
Siç është paraparë, delegacionet zyrtare të Maqedonisë dhe Kroacisë do të zhvillojnë një seancë plenare, ndërsa më pas krerët e dy shteteve pritet që të adresohen në një konferencë të përbashkët për media.
Pasdite, presidentja kroate në kuadër të vizitës së saj në Maqedoni do të pritet edhe nga kryetaparlamentari Talat Xhaferi.
Ajo gjatë ditës së nesërme do të marrë pjesë në takimin zyrtar të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni, i cili do të mbahet në Shkup dhe ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Komisionit Evropian, Donald Tusk.
Këtë vit Maqedonia do të jetë nikoqire e Procesit Brdo-Brioni, i cili për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.
Brdo rrjedh nga Brdo pri Kranju, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë. Qëllimi i iniciatorëve është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimit të çështjeve të pazgjidhura./Anadolu Agency (AA)