AktualitetPolitikëTë fundit

Thaçi: Eshtë bërë progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku është diskutuar për të arriturat dhe sfidat në dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës.

Me këtë rast ai ka bërë një bilanc të dhjetë vjetëve shtet, përgjatë të cilëve Republika e Kosovës ka marr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

Sipas tij në këtë periudhë ka pasur sfida në zbatim të legjislacionit, si dhe në avancimin dhe forcimin e mekanizmave të sundimit të ligjit.

Megjithatë, sipas presidentit Thaçi, Republika e Kosovës ka miratuar Kushtetutën me moderne, ka nxjerr akte ligjore që parandalojnë dhe sanksionojnë veprat e korrupsionit, ka hartuar dokumente të politikave dhe janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit.

“Në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë ngritur kapacitet e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe është rritur edhe buxheti për institucionet e sundimit të ligjit”, ka vlerësuar presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se përgjatë këtyre 10 vjetëve shtet, Kosova ka arritur progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të punohet më me profesionalizëm.

“Ne e dimë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por ne duhet të ecim përpara. Sfidat duhet t’i tejkalojmë me bashkëpunim, profesionalizëm dhe përkushtim të secilit prej neve”, ka thënë ai.

Presidenti gjatë diskutimit ka përmendur edhe sfidat që janë përcjellë nga takimet e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

“Bashkëpunimi institucional, funksionimi i mekanizmave të sundimit të ligjit, zbatimi i legjislacionit në fuqi, ndjekja, hetimi dhe gjykimi i krimit të organizuar në përgjithësi dhe korrupsionit në veçanti, aplikimi i metodave dhe teknikave të sofistikuara hetimore, rritja e numrit të rasteve konkrete që përfundojnë me aktgjykime dënuese, harmonizimi i statistikave lidhur me rastet, parashkrimi i lëndëve, ngritja e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në fusha specifike, duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, forcimi i kontrollit të brendshëm të institucioneve dhe zbatimi i dokumenteve të politikave të kësaj fushe janë adresuar gjithnjë si sfida”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se disa prej këtyre sfidave janë adresuar, kurse disa të tjera kanë mbetur për t’u adresuar dhe institucionet përkatëse janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Në ditët në vijim, do të fillojë procesi i rishikimit të mandatit dhe funksionimit të këtij Këshilli, më qëllim të dinamizmit dhe avancimit të punës së tij dhe në funksion të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka paralajmëruar presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se janë bërë hapa konkretë në forcimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përpushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

“Tani pres nga të gjitha institucionet që të dëshmojnë këtë progres dhe ky progres të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe të ecet përpara me liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Haradinaj: Kosova do të kthehet në storie suksesi të luftës kundër korrupsionit

Në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përkrahjen e reformave në drejtësi, në rend dhe ligj, në të njëjtën kohë edhe përkrahjen buxhetore për institucionet e rendit dhe ligjit.

“Kosova është duke e kaluar një periudhë të rëndësishme në reformat e përgjithshme, reforma që janë të domosdoshme, por reforma poashtu, që e kanë në fokus sistemin e drejtësisë dhe të cilat kanë filluar të japin rezultate”, tha kryeministri Haradinaj, duke konfirmuar se Qeveria e Kosovës do të përkrahë reformat në drejtësi, në rend dhe ligj, përmes përkrahjes buxhetore për këto institucione.

Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se Qeveria që ai drejton, deri tani ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë për sundim të rendit dhe të ligjit, në të cilat kryesuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, të luftës kundër krimit e korrupsionit, kanë raportuar për gjendjen në këto institucione veç e veç, për të arriturat, sfidat, por edhe kanë nxjerrë edhe objektiva për të ardhmen, shumica e të cilave ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Haradinaj tha se edhe në fushën e gjyqësisë, është bërë shumë punë, e cila do të përmblidhet në një publikim të përbashkët me ndihmën edhe të akterëve relevantë, të Komisionit Evropian, Ambasadës së SHBA-së, dhe përmes tyre të vërtetohet që Kosova vërtet është serioze në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kundër të gjitha llojeve të krimit dhe kërcënimeve të shoqërisë sonë.

“Duke dashur që të konfirmoj këtë si proces dhe si garancë që ka përkushtimin e institucioneve të nivelit më të lartë, ashtu siç vërtetohet edhe sot, të bartësve të institucioneve, përkrahjen buxhetore dhe përkrahjen e opinionit të gjerë, atëherë jam i bindur se Kosova do të kthehet në storie të suksesit në luftën kundër korrupsionit”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se perspektiva evropiane e Kosovës, drejt statusit të kandidatit, do të përkrahet pikërisht me forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se liberalizimi i vizave është një çështje më urgjente për të cilën qytetarët e vendit kanë pritur gjatë, duke shprehur besimin se në ditët që vijnë, Bashkimi Evropian do të mund të japë lajmin e shumëpritur për liberalizimin e vizave.

Me nga një fjalë para të pranishmëve folën edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Takimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit është ftuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me temën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit përgjatë 10 viteve shtet”

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com