AktualitetPolitikëTë fundit

Nufi reagon ndaj PD: Investimi për tre avionët zjarrfikës, strategjik për mbrojtjen civile

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike për investimet e fundit në fushën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes civile, duke i cilësuar ato të pakuptimta në një kohë kur vendi po përballet me situatë të rënduar nga zjarret.

Nufi tha se në këtë situatë, efektivët zjarrfikës, strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura dhe pilotët e Forcës Ajrore po punojnë në kushte të vështira për përballimin e vatrave të zjarrit në të gjithë vendin.

“Në këtë situatë zjarresh dhe pune të jashtëzakonshme të të gjithë efektivëve zjarrfikës, të Emergjencave Civile në Forcat e Armatosura, të pilotëve heronj të Forcës Ajrore, reagimi dhe akuzat e Partisë Demokratike janë krejt të pakuptimta duke zgjedhur të bëjë tymnajë me dy prej hapave më të rëndësishëm të ndërmarra së fundmi nga Shqipëria për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen civile”, theksoi Nufi.

Ministri u shpreh se, PD ka ndërmarrë sulme dhe ka depozituar edhe padi në gjykatë lidhur me marrëveshjen e Huasë FMF prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka kritikuar edhe investimin për pajisjen e Shqipërisë me tre avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve.

“PD nisi një sulm e deri padi në gjykatë, për marrëveshjen e Huasë FMF prej 302 milion dollarësh me SHBA dhe tani në vend që të solidarizohet me efektivët e emergjencave civile në gjithë Shqipërinë (që mund të jenë të majtë apo të djathtë), të cilët po i shërbejnë Atdheut për të përballuar situatën e zjarreve, sulmojnë edhe investimin për pajisjen e Shqipërisë me 3 avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve”, shtoi Nufi.

Nufi theksoi se investimi për tre avionët e rinj zjarrfikës synon forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes civile.

Ai bëri të ditur se projekti përfshin edhe trajnimin e pilotëve shqiptarë në kushte dhe kohë reale për përdorimin e mjeteve ajrore.

“Investimi në tre avionët e rinj zjarrfikës, i cili fillon që me trajnimin në kushte dhe kohë reale të pilotëve tanë për përdorimin e tyre, ka si qëllim të forcojë kapacitetet tona në kuadër të mbrojtjes civile”, theksoi Nufi.

Ministri deklaroi se procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar, duke u bazuar, sipas tij, në parimet e ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Sipas Nufit, procedura është fituar nga oferta më e ulët dhe investimi ka rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pasurisë dhe mjedisit.

“Ky është një investim i bërë plotësisht konform legjislacionit shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, i cili sipas ligjit është fituar nga oferta më e ulët. Mbi të gjitha, ky investim ka rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit”, theksoi Nufi.

Ai kërkoi që çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe partneritetet strategjike të mos përdoren për konsum politik.

“E kam thënë dhe do e përsëris sa herë të jetë e nevojshme: çështjet që prekin sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe/apo partneritetet strategjike nuk duhet të jenë fushë për konsum politik. Dhe nëse ndodh: rasti më i mirë është padije; ndër rasti më i keq është dashakeqësi kundër interesit qytetar dhe atij kombëtar”, theksoi Nufi.

Në reagimin e tij, ministri shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët që po angazhohen në përballimin e situatës së zjarreve, përfshirë strukturat e emergjencave civile, bashkitë, agjencitë shtetërore dhe Forcat e Armatosura.

Nufi vlerësoi veçanërisht punën e pilotëve të Forcës Ajrore dhe të gjithë efektivëve që ndodhen në vijën e parë të përballjes me zjarret, duke i cilësuar ata si heronj dhe duke i falënderuar për shërbimin ndaj vendit.

“Kjo, në mes të një situate emergjencash civile që po menaxhohen me profesionalizëm nga heronjtë në vijën e parë të zjarrit dhe nga të gjitha strukturat bashkiake, agjencitë shtetërore dhe nga efektivët e Forcave të Armatosura, për të cilët gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin për punën dhe shërbimin ndaj Shqipërisë”, përfundoi reagimin e tij ministri Nufi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com