Berisha: Nëse Islanda i bashkohet BE-së, mund të ftohet entuziazmi për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mund të ndikohet në rast se Islanda përfshihet si anëtare e re e BE-së.
Duke folur për mediet jashtë Kuvendit, Berisha u shpreh se një zhvillim i tillë mund të “ftohë entuziazmin” për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se procesi i integrimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe kritere të qarta.
“Integrimi është shtyllë kryesore e programit tonë. Dhe natyrisht, nuk ka gjë më të dhimbshme se sa të humbasim një rast. Në qoftë se BE përfshin Islandën pas referendumit që kanë, ka mundësi që t’u ftohet entuziazmi për Ballkanin Perëndimor. Sot, po të shihni ju, publikimi i fundit i televizionit franko-gjerman, vetëm 43 për qind e francezëve mbështesin integrimin. Dhe që të gjithë kërkojnë zgjerim të bazuar në kritere dhe meritë”, tha Berisha.
Berisha tha se opozita nuk e sheh BE-në si të vetmen shpresë, por si një shtyllë të rëndësishme të programit të saj politik.
“Opozita po bën atë që mund të bëjë në kushtet e një regjimi autoritar dhe mendoj se me qëndresën e saj në kushtet e regjimit autoritar, opozita është bërë një zë pa diskutim i fuqishëm dhe i dëgjueshëm.
“Dy komisione faktmbledhëse, nuk po flas për tetë rezoluta, por dy komisione faktmbledhëse që është një hap tjetër shumë i veçantë, është vendim shumë i veçantë vendimi për të dërguar komision faktmbledhës, të dyja janë nisma dhe kërkesa të opozitës dhe janë plotësuar. Pra, në njëfarë mënyre kjo dëshmon se shqiptarët kanë vërtet një avokat të besueshëm në procesin e integrimit”, tha Berisha.
Fraksion.com
