AktualitetTë fundit

Ndërron jetë Ismail Kadare, por vepra e tij mbetet e pavdekshme, mesazhet e personaliteteve shqiptare

U nda nga jeta mëngjesin e sotëm, kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç.

Personalitete të larta të vendit dhe jo vetëm kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit që shqiptarëve u fali dritën kur ishin në errësirën e diktaturës ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.

Më poshtë do të jenë të gjitha mesazhet e personaliteteve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë

Mesazhi i Presidentit Bajram Begaj

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla vlerëson veprën e shkrimtarit Ismail Kadare

“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.
Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.”

Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës e Inovacionit Blendi Gonxhe

Lajm i trishtë ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare! Gjeni i letrave, një figurë madhore e letërsisë shqiptare që bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht!

Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen! U prehsh në paqe, mjeshtër i madh!

Lulzim Basha, kreu i demokratëve euroatlantikë

“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.
Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.
Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët  mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!
Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!”

Mesazhi i Kreshnik Çollakut
Sot kombi është në zi. Një ndër mendjet më të ndriçuara të tij,është shuar përjetësisht. Një ditë zie mbarë kombëtare,do të ishte detyrimi minimal për këtë kollos të mendjes e të penës. Prehu në Paqe,Ismail Kadare !!

Mesazhi i Ilir Metës

Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve.

Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!

Mesazhi i Jorida Tabakut

Një ditë e trishtë kjo e sotmja. Një ditë e trishtë kjo e gjuhës shqipe ndërsa prej botës sonë largohet një gjigand i letërsisë shqiptare që në kohë të errëta ishte një dritare shprese për shumë shqiptarë. Ndërsa në kohët e një demokracie të turbullt ishte njeriu që preku zemrat dhe emocionet e një brezi të trazuar nga një botë e re.

Një kristal i dy kohëve të turbullta që tejkaloi kufijtë e hekurt të një bote të ndarë në kampe. Një shpirt në luftë që u përpoq t’i ofronte qetësinë një shoqërie në kaos.

Në s’gjetsha hon ku të të hedh

Të gjej një fushë a një lulnajë

Ku butësisht porsi polen

Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

U prehsh në paqe gjigandi jonë! Trashëgimia jote në prozë e poezi do të vazhdojë të trashëgohet brez pas brezi.

 

Fraksion.com