Kosova i shkruan Këshillit të Evropës se po përgatit projekt statut për Asociacionin
Qeveria e Kosovës tha se është duke përgatitur një projekt statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një përpjekje të orëve të fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, proces i kushtëzuar më hedhjen e hapave drejt themelimit të këtij mekanizmi.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla shkroi në rrjetet sociale se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila “përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”.
Në letër thuhet mes tjerash se projekt statuti i frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert ne janar të vitit 2023, do t’i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj.
Ministrja Gërvalla shkroi se “pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.
Në muajin prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot dhe nesër u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.
Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë./VOA
Fraksion.com