AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali-opozitës: Kërkoni politikë të brendshme me viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se “ne respektojmë në çdo rast vullnetin sovran të autoriteteve të Kosovës në vendimmarrjet e tyre, por nga ana tjetër natyrshëm mund të ndodhë që edhe ndonjë hap i tyre të mos jetë dot i sinkronizueshëm me hapat tonë, të cilat i përsëris janë në harmoni me orkestrën e aleancave tona strategjike”.

Në fjalën e saj, duke zëvendësuar kryeministrin Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputeti Tritan Shehu lidhur me qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Spiropali tha se “nuk dua ta konsideroj absolute, por minimalisht ka 10 vjet që qeveria Rama dhe shumica jonë ka bërë një ndarje të fortë, të prerë dhe drastike nga ai soj dhe lloj politike të jashtme që bëhet duke folur me veten për të dëgjuar jehonën e asaj që po vetë po themi”.

Spiropali u shpreh se “po të duam ta harrojmë ne apo ta anashkaloni ju është fakt dhe jo më dëshira e opinionit, se në këto vite Shqipëria dhe shqiptarët po dëshmohen si një faktor i zëshëm dhe i pashmangshëm në rajonin tonë të trazuar, dhe për dy arsye kryesore: E para, sepse po dëshmojnë aftësi shtetformuese dhe dinjitet në çfarë po bën qeveria jonë, dhe së dyti, jemi në dakordësi dhe rakordim të happashapshëm me të gjithë partnerët tanë për strategjitë stabilitetmbajtëse të partnerëve, por edhe të nevojave të rajonit”.

“Në mos tjetër ku më shumë se në Kosovë dhe për Kosovën kjo ka qenë kryefjala e çdo frymëmarrje të politikës sonë të jashtme në të gjithë këto vite. Duke thënë këtë e duke cituar që detyrimin kushtetues me preambulën e saj nuk mund të mos ritheksohet për paternalistët që herë ngrysen si etër të Kosovës dhe herë gdhihen si shkopinj në rrugën e saj si republikë dhe shtet i pavarur se Republika e Kosovës është një shtet më vete me autoritetet e saj përgjegjëse dhe të zgjedhura”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja Spiropali theksoi se “për shumëçka, por natyrisht jo në gjithçka Tirana, jonë politike e sheh një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të saj në politikën e jashtme me sytë nga Prishtina duke u lutur dhe shpresuar që edhe Kosova dhe autoritetet e saj legjitime të harmonizojnë çdo hap me marrëdhëniet ndërkombëtare me aleatët e përbashkët strategjikë”.

“Ne e kuptojmë që përmes Shehut, një segment nacional folklorik i politikës shqiptare kërkon të bëjë politikë të brendshme me viktimat e vrasjeve, përdhunimeve, krimeve masive të Millosheviçit dhe Serbisë së tij, të krijojë si efekt anësor jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë pasojat e kësaj turbopolitike të tallavasë që në rastin më të mirë është naive dhe në ndonjë rast tjetër është dashakeqëse. Njëlloj si ato rrjedhat e ujit që përfundojnë në mullirin e tjetër kujt për të bluajtur miellin e dikujt tjetër. Nuk dua ta paragjykoj zotin Shehu dhe as nuk dua të mbaj distancë nga eksperienca e tij e gjatë në politikë, por mund t’i kujtoj se nacionalizmi elektoral dhe llogaritë elektorale mbi kartën e zhubrosur të nacionalizimit janë bimë të helmuara që si frut të vetëm prodhojnë vetëm konfuzion, përçarje e mllef mes nesh”, tha Spiropali.

Nuk ka, vijoi Spiropali, dhe nuk duhet të ketë garë, së paku ne e refuzojmë garën se kush i fryn me fort fyellit njëbrimësh të këtij soj folk-nacionalizmi.

“Për fat të mirë, shqiptarët e Shqipërisë, por dhe mendjet e kthjellta në Kosovë janë tashmë të mësuar me këtë lloj loje ciklike, ku naiviteti i dukshëm dhe ndoshta edhe ligësia e fshehur mbas gurit të hedhur dhe dorës që vazhdon të duket, e bën edhe dramatike, edhe qesharake këtë tentative të përsëritur”, tha ajo.

Ministrja Spiropali u shpreh se “tema e genocidit shfaqet në sallën e këtij parlamenti në një simetri mbresëlënëse me momentet e krizave më të rënda që i mvishen si këmishë force segmentit politik të përfaqësuar nga Shehu. Njëlloj si një kurë që pranohet se mund të vrasë edhe vetë pacientin, me kusht që të mos thuhet se pacienti ka tjetër sëmundje. Një nga ato lëngata që nuk ka kurë që e shpëton sepse është ndëshkuar dhe do të vijojë të ndëshkohet rregullisht, nesër edhe më thellë se dje, nga vota e shqiptarëve”.

Më tej Spiropali tha se “duke marrë parasysh çfare thashë deri këtu si edhe faktin se deri më sot, as SHBA që udhëhoqën luftën për lirinë e Kosovës,  Britani e Madhe, Italia, Gjermania, etj, që e bashkudhëhoqën luftën me bomba kundër regjimit kriminal të Slobodan Milosheviçit, duke e ditur mire si funksionojnë këto punë, që nuk janë çështje të tallavasë së ditës dhe se këtu nuk jemi në fushën e hamendësimeve, por në një fushë shumë të kultivuar të ligjeve ndërkombëtare, nocioneve që ju i hidhni si demek bomba për të kapur gafil kundërshtarin, gjen nocion gjen një shpjegim shumë shterues të natyrës juridike. Ne besojmë se çdo kuturisje politike ka vetëm rezultate negative. Së pari do të na vendoste në një pozicion ku në rastin më të mirë do të dukeshim jo seriozë. Ku mos rakordimi dhe mos pranimi  kësaj kërkese, largqoftë do i bënte një dëm historik të pariparueshëm Kosovës”.

Së dyti, vijoi Spiropali, hedhja e kësaj ideje me mendësinë e shashkave politike do të ishte një bashkim në fyerjen e viktimave, për shkak se joserioziteti i saj do të bënte të pamundur përparimin në rrafshin ndërkombëtar.

“Aty ku vendoset pranimi ose jo i kësaj ideje. Duhet patjetër rakordimi me të gjithë ata që e kanë këtë votë dhe e kanë këtë mundësi. Së treti, mund t’ju siguroj se ne e kemi testuar më shumë se njëherë këtë ide me aleatët tanë strategjikë dhe më shumë se njëherë kemi marrë të njëjtën përgjigje për çështje të kohës së duhur dhe nuk kemi ndërmend që për shkak të bisedave dhe halleve tuaja ne të hyjmë më thellë në një aventurë që kaq shumë e ka rrëmbyer zemrën tuaj, zoti Shehu dhe zemrën e atij që rreh në ballkon”, tha Spiropali.

Ministrja Spiropali theksoi se “Shqipëria sot gëzon një pozitë mjaft të konsoliduar në planin rajonal e më gjerë dhe kjo falë edhe koordinimit të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë për çdo hap të hedhur. Ecuria e rezolutës mbi genocidin serb ne Strebenicë do të jetë një udhërrëfyes i mirë për hapat konkretë në të ardhmen e afërt. Ndërkohë diplomacia shqiptare vazhdon lobimin e saj në botë, të koordinuar me Prishtinën zyrtare, për të bërë të njohur faktet se çfarë ndodhi në Kosovë në vitet 1998-1999 që të lehtësojë rrugën kurdo që kjo rezolutë të rekomandohet të paraqitet për diskutim ne OKB”.

Këto dy vite, shtoi ajo, nuk është kërkuar ne rruge diplomatike nga autoritet në Kosovë që Shqipëria të miratojë një rezolutë të tille në parlament, pasi edhe ata janë në ndërveprim me partnerët tanë të përbashkët strategjikë.

“Shqipëria, por edhe Kosova është më e madhe se një përplasje elektorale. Shqiptarët në Tiranë a Prizren, në Prishtinë a Korçë, Shkodër, Gjakovë, Pejë a Gjirokastër, janë shumë më të rëndësishëm se çdo sprovë elektorale dhe shumë më të rëndësishëm sesa çdo fat i përveçëm në politikë, sado lart të duket ai nga poshtë në katin e tetë apo sado ekuilibrist të duket paralele më paralele”, tha Spiropali.

 

Fraksion.com