Ali Ahmeti nderohet me titullin “Qytetar Nderi”, Rama: Falë tij shqiptarët në MV po përjetojnë ditët më të mira
Kryeministri Edi Rama e vlerësoi sot Ali Ahmetin si mjeshtrin më të madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin kombëtar.
Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës”, ku u shpreh se ai është “një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë e ka kthyer në një mjeshtëri të admirueshme”.
“Një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, “është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët”.
“Por nuk është aspak herët të thuhet se ndër shqiptarët e kësaj kohe ndryshimesh epokale për kombin tonë ndër të cilat shkëlqen edhe ndryshimi rrënjësor i pozicionit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti.
“Dhe as nuk do të kishin sot një pluralizëm demokratik aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare, sa që t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet ,duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha ai.
“Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe shqiptarëve të cilëve u them vetëm, të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.
“Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe shqiptarëve të cilëve u them vetëm, të shohin interesin e Republiksë së Maqedonisë së Veriut”, tha Rama..
Fraksion.com