“Grupi trafikoi 3.4 tonë kanabis në Itali”, pranga 31-vjeçarit në Malësi të Madhe
Arrestohet një 31-vjeçar në Shkodër, i cili akuzohet se për 7 vite me radhë trafikoi drejt Italisë sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine.
Në pranga ka rënë Kristian Uldedaj.
Njoftimi i plote
Malësi e Madhe/Inteligjencë policore dhe koordinim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Jeran”, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Pjesëtar i një grupi kriminal që për një periudhë 7-vjeçare, trafikoi në Itali, 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”.
Gjatë operacionit u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Kristian Uldedaj, 31 vjeç.
Gjykata e Milanos i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.
Nga hetimet rezultoi se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar shtetasi Kristian Uldedaj, gjatë periudhës 2015-2022, ka trafikuar në Itali, rreth 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 195 953 euro dhe 1430 franga të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Romë, për ekstradimin e këtij shtetasi.
Fraksion.com