AktualitetKosovaTë fundit

KFOR-i i përgjigjet kërkesës së Serbisë për dërgimin e forcave në Kosovë – nuk dihen hollësi

Ministria serbe e Mbrojtjes tha të premten në mbrëmje se mori përgjigjen nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ndaj kërkesës për vendosjen e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, por nuk dha më shumë hollësi.

Përgjigjja është marrë në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Merdar, thuhet në një njoftim të shkurtër në të cilin theksohet se dokumenti i është dorëzuar kabinetit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Ushtria e Serbisë, natën mes 15 dhe 16 dhjetorit të vitit të kaluar, i ka dërguar një e-mail zyrës së KFOR-it, me kërkesë për dërgimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Serbia ka marrë vendimin lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë si reagim ndaj, siç pretendojnë autoritetet në Beograd, pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Me 16 dhjetor forcat e KFOR-it thanë se pranuan një letër nga Serbia, e cila kërkon kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të ë forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

“Aktualisht letra është duke u shqyrtuar”, thanë me 16 dhjetor zyrtarë të KFOR-it, por pa dhënë asnjë hollësi.

Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova në atë kohë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës, të cilat nuk dhanë të premten hollësi rreth përgjigjes ndaj kërkesës serbe që pasoi tensionet e fundit në veriun e Kosovës, ku për rreth tri javë ne radhë grupe qytetarësh serbë mbajtën të të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Bllokadat u larguan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha që më parë se Shtetet e Bashkuara refuzojnë kthimin e forcave serbe të sigurisë duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.

Nga diplomatët evropianë ishte ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila e cilësoi kërkesën serbe plotësisht të papranueshme.

Kërkesa e Beogradit, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim me agresion.

Një pjesë e opozitës në Serbi tha se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.

Dërgimi i kërkesës ndodhi në ditët kur u shtuan tensionet në veri të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, gjë që Beogradi zyrtar e refuzon.

Përfaqësues të komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë. Më 8 dhjetor, autoritetet e Kosovës vendosën të dërgojnë forcat e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë popullatën shumicë.

Më pas, më 10 dhjetor, grupe të serbëve bllokuan rrugët duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat u vendosën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin serb Dejan Pantiq, me dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje lokale në veri të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Heqja e barrikadave filloi më 29 dhjetor të vitit të kaluar dhe më 5 janar KFOR-i largoi automjetet e fundit që bllokonin rrugët në veri të Kosovës.

 

Fraksion.com