AktualitetPolitikëTë fundit

“Kufiri” i Shqipërisë së re, Ditmir Bushati: Asnjë kërkesë nga BE për numrin e bashkive! Shqiptarët duhen dëgjuar për mënyrën sesi e shohin të ardhmen

“KUFIRI” I SHQIPËRISË SË RE

Në Shqipëri është bërë zakon që çdo masë të paketohet si reformë, e madje të thuhet se ‘është kërkesë nga BE-ja’. Edhe propozimi për ndarjen e re territoriale e administrative, nuk i shpëtoi hileve të politikës së vjetër, ku vëmendjen po e merr numri i bashkive, duke i bishtnuar thelbit të problemit.

Nuk ekziston asnjë kërkesë e BE-së që lidhet me madhësinë apo numrin e bashkive në Shqipëri, sepse kjo është çështje e brendshme. BE-ja kërkon që Shqipëria të fuqizojë demokracinë vendore, kapacitetet dhe burimet financiare, pasi njësitë vendore janë garantuesit e standardit europian në jetën e përditshme, përmes ofrimit të shërbimeve.

Një reformë e vërtetë duhet të hapë një debat mbi çështjet themelore të qeverisjes vendore, që janë çështje të demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje.

Pas ndarjes territoriale të 2015 bashkitë u bënë më të mëdha, por kompetencat u rrudhën. Raporti qendër-periferi u shpërfill. Kjo solli edhe braktisjen e zonave të caktuara të vendit. Raporti i bashkive me komunitetin u zbeh. Tirana dhe bashkitë në vijën e bregdetare tregojnë sesi asetet më të çmuara dorëzohen nga lart tek një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët ‘informohen’ kur vendosen gardhet dhe mbërrijnë betonierat.

Shpenzimet publike që administrohen nga pushteti vendor në Shqipëri, si përqindje e totalit të financave publike, mbeten dukshëm më të ulëta se mesatarja e vendeve të BE-së. Pa burime financiare dhe pa kompetenca, nuk mund të gjykohet efektiviteti i një bashkie. Para se të ndryshohen kufijtë administrativë, duhet të rishikohet modeli i financimit të pushtetit vendor.

Shqipëria ka nevojë për një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Pjesa më e madhe e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik përqendrohet në Tiranë dhe përreth saj. Zonat e tjera, në rastin më të mirë, përfitojnë nga turizmi sezonal, por nuk arrijnë të krijojnë ekonomi të qëndrueshme dhe shërbime publike që u japin qytetarëve mundësinë të ndërtojnë jetën në zonën e tyre.

Çdo reformë mbështetet mbi disa kritere. Cilat kritere janë përdorur për shkrirjen e disa bashkive, ndërsa të tjera me karakteristika të ngjashme mbeten të pandryshuara? Një reformë me ndikim kaq të madh te njerëzit duhet të jetë shtetkonsoliduese dhe me mirëkuptim të gjerë politik e shoqëror.

Përpara se të ndërmerret një tjetër riorganizim, duhet të tregohet qartë se përfitimet afatgjata tejkalojnë kostot dhe se problemet ekzistuese nuk mund të zgjidhen përmes reformimit të kompetencave, financimit dhe organizimit institucional pa ndryshuar kufijtë administrativë.

Bashkia nuk është vetëm një njësi administrative. Ajo përfaqëson identitet historik, kulturor dhe social. Nëse komunitetet nuk konsultohen realisht por veç formalisht, siç tregojnë reagimet dhe protestat në disa zona të vendit, qytetarët do të ndihen të anashkaluar dhe do ta perceptojnë reformën si të imponuar nga lart.

Mënyra sesi do të veprohet më tej me ndarjen territoriale do të përcaktojë edhe “kufirin” e Shqipërisë së re. Pasi do të tregojë nëse politika ka nxjerr mësim nga protestat e muajve të fundit, të cilat kanë të bëjnë me atë se kush e si merren vendimet në emër të popullit.

Një nga vendimet e para të kryeministrit të sapozgjedhur britanik ishte kalimi i pushtetit nga qeveria në drejtim të bashkive. A është ky një mësim për ne shqiptarët? A është praktika e labursitëve një udhërrëfyes edhe për socialistët shqiptarë?

Shqipëria ngjan me një njësi administrative ku pushteti është i përqendruar te zyra e kryeministrit. Çdo politike e re, duhet të jetë e kundërt me përqendrimin e pushtetit. Duhet të synojë komunitetet. Shqiptarët duhen dëgjuar për mënyrën sesi e shohin të ardhmen aty ku jetojnë dhe të vendosin për të. Referendumi duhet të konsiderohet për ndryshime me ndikim të tillë.

Demokracia vendore duhet të jetë një shtyllë e rëndësishme e Shqipërisë së re. Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë që kalon pushtetin nga lart poshtë, nga qendra në periferi, për të ndërtuar një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Vetëm kështu shqiptarët do ndjehen të kuptuar, të parë, të respektuar anekënd Shqipërisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com