AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Gonzato mashtron për qëndrimet e PD-së për integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së se, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD-së në procesin e integrimit.

“Ky zotëri përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD-së në procesin e integrimit. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë këtë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, PD është forca politike që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit.

“Unë do t’i them që forca jonë politike është forca që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka qenë dhe mbetet lokomotivë e procesit të integrimit. Është forcë politike e cila ka shpallur si interesin më madhor kombëtar të shqiptarëve integrimin në BE”, shtoi Berisha.

Por, vijoi kreu i PD, “është forca politike e cila ka qenë shumë e sinqertë me partnerët dhe nuk ka pranuar kurrë të mashtrojë partnerët dhe të mashtrojë shqiptarët.

“Forca jonë politike ka qenë dhe mbetet e vendosur për një integrim të bazuar në meritë. Për të bërë gjithçka që Shqipëria të meritojë, dhe të garantoj se nuk është kurrë pengmarrja kulturë e shqiptarëve siç paraqisni ju AKSHI-n. Dhe e bën këtë në kohën e komunikimeve me shpejtësi drite”, u shpreh Berisha

Berisha u shpreh se, axhenda e PD nuk është MAGA, por integrimi i Shqipërisë në BE.

“Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë se Donald Trump kur erdhi LaCivita ka ardhur me një çek 9 miliardë dollarë për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është qarkulluar në nivelet më të larta”, tha Berisha.

Por, vijoi kreu i PD, “ne pavarësisht nga kjo, kemi deklaruar se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht përveç pozicionit gjeostrategjik të saj dhe u faktua kjo”.

“Sigurisht ne kemi marrëdhënie pa diskutim me SHBA dhe ne kemi disa specifika, nuk e mohojmë atë. Kosova nuk do ishte e lirë pa SHBA, askush të mos mendojë se ne e harrojmë këtë. Dhe tani për të ndihmuar Edi Rama, shtron prapë çështjen se disa kanë axhendë MAGA-n, nuk kanë axhendë integrimin evropian”, u shpreh Berisha.

“Unë mendoj se i shërben Edi Ramës me këto dhe unë nuk kam dëshirë në mënyrë absolute as të të përgjigjem, por unë jam skandalizuar kur kam mësuar këto”, theksoi më tej Berisha.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com